TIRANË-Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë sot në takimin me grupet e interesit për konsultimin e Udhërrëfyesit të Qeverisë për Shoqërinë Civile.
Ky dokument shumë i rëndësishëm ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit dhe partneritetin ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe shoqërisë civile në formësimin dhe zbatimin e politikave publike, si veçori thelbësore të një shteti modern, që është në shërbim të qytetarit.
"Ministria e Integrimit Europian e ka një ndër prioritetet kryesore të punës së saj, thellimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile, konsultimin gjithnjë e më intensiv me të për çdo hap dhe iniciativë në funksion të procesit të integrimit", tha Ministrja Gjosha gjatë takimit, ku u prezantua Udhërrëfyesi dhe Plani i veprimit për implementimin e tij.
"Ky Udhërrëfyes, i cili është përgatitur nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj me eksperiencë të spikatur në sektorin e shoqërisë civile, pritet të kontribuojë në zhbllokimin e potencialit që buron nga përmirësimi i bashkëpunimit qeveri-shoqëri civile", tha Ministrja Gjosha.
Ministrja e Integrimit Europian, Kladja Gjosha mori pjesë sot në takimin me grupet e interesit për konsultimin e Udhërrëfyesit të Qeverisë për Shoqërinë Civile
Ministrja, nënvizoi se shoqëria civile si e tërë, në filozofinë e qeverisë është një partner themelor përgjatë të gjitha reformave dhe proceseve integruese që po ndërmerren. Ministrja e konsideroi sfidë dhe motivim për të krijuar të gjithë mekanizmat, të cilët mundësojnë pjesëmarrjen e gjerë dhe të qëndrueshme të këtij sektori në çdo hap që hedh vendi për procesin e integrimit.
"Jemi të vetëdijshëm për problemet që has sektori i shoqërisë civile në ushtrimin e misionit të tij, siç edhe jemi të vetëdijshëm për problemet që kanë vetë institucionet tona publike në kontekstin e një bashkëpunimi të hapur e mbështetës ndaj shoqërisë civile. Angazhimi ynë i qartë dhe i sinqertë është eleminimi i këtyre problemeve me qëllim, rrugëtimin e përbashkët në funksion të interesit publik", tha Ministrja.
Ministrja theksoi se mundësimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile në të gjitha grupet e ekspertëve dhe përgjatë të gjithë procesit të negociatave është një parakusht për një proces gjithëpërfshirës dhe me ekspertizë profesionale. "Për këtë qëllim, domosdoshmëria e rritjes së kapaciteteve të administratës tonë publike ecën paralelisht me përpjekjet tona për krijimin e kushteve për ngritjen e kapaciteteve edhe të organizatave të shoqërisë civile", tha Ministrja.
Në linjë me këtë qëllim, Programi i Qeverisë 2013-2017 thekson nevojën e reformave në lidhje me: përmirësimin e kuadrit ligjor dhe fiskal për veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse (OJF) si dhe promovimit të vlerave të vullnetarizmit; rritjen e transparencës së punës së institucioneve publike; konsultimin e gjerë të nismave të reja ligjore me shoqërinë civile dhe forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për të ofruar shërbime, të cilat shteti nuk është ende në gjendje t'i ofrojë.
"Ne besojmë se një shoqëri civile e fortë dhe aktive kontribuon gjithmonë në mirëqenien e qytetarëve, çka mbetet dhe misioni ynë më madhor dhe në përmbushjen e këtij misioni një vlerë e paçmuar mbetet inkurajimi dhe mbështetja e vazhdueshme që institucionet ndërkombëtare dhe komuniteti i donatorëve ka ofruar për qeverinë shqiptare dhe shoqërinë tone", tha Ministrja./ATSH/