“Udhëtim në fëmijëri” ishte mbrëmja artistike, që erdhi të enjten në vendlindjen e artistit, ku për rreth dy orë, publiku shijoi programin artistik nën interpretimin e nxënësve dhe pedagogëve të Shkollës Artistike të qytetin të gurtë që mban pikërisht emrin e Feim Ibrahimit, si dhe të artistëve të rinj të mbërritur nga Tirana, si: Artur Vera, Laura Llozi dhe Rejsi Prosi.
“Feim ibrahimi është një nga kompozitorët e mi të preferuar shqiptarë. Kam luajtur disa nga veprat e tij. Dëshirë e imja është gjithashtu t'i promovoj këto vepra shqiptare dhe në Austri, ku do t’i luaj në një koncert edhe më 11 nëntor në Vjenë.”, tha artistja Rejsi Prosi.
Krahas artistëve të rinj, për publikun interpretoi edhe e bija e kompozitorit, pianistja Etrita Ibrahimi, e cila paralelisht ka përmbledhur në një libër miniaturat për piano dhe pjesët për piano të Feimi Ibrahimit.
“Është një titull për të cilin jam menduar shumë, por pastaj erdhi krejt natyrshëm në një moment, sepse bëhet fjalë për një udhëtim të vërtetë në fëmijërinë e secilit nga fëmijët, që luan pjesë muzikore. Botimi që kam bërë dhe ka dalë tani nga shtypi përfshin pikërusht pjesët nga më e thjeshta te e komplikuara.”, tha Etrita Ibrahimi.
Feim Ibrahimi lindi më 20 tetor të vitit 1935 në Gjirokaster. Ai ka qenë një ndër kompozitorët e parë që studioi në mënyrë eksluzive brenda vendit, ku në vitin 1962 u regjistrua në Konservatorin e sapokrijuar të Tiranes nën drejtim e Tish Daisë. Për meritat dhe kontributin e tij, artisti Feim Ibrahimi është vlerësuar në vitin 1989 me titullin më të lartë artistik “Artist i Popullit”. Muzika e tij shtrihet në të gjitha zhanret, përfshi edhe atë të filmave. Feim Ibrahimi u nda nga jeta më 2 gusht 1997 në Itali, duke lënë pas një thesar të çmuar në jetën dhe artin shqiptar.
Komente











