Vasil Pilo, tifozi shqiptar i PAOK-ut të Selanikut ishte një nga shtatë viktimat e aksidentit tragjik që u mori jetën shtatë ultrasve të klubit grek në Rumani, me tifozët që po udhëtonin drejt Lyonit në Francë pasi klubi i tyre luan nesër për fazën e ligës në Europa League.

Për mediet, nga Korça foli edhe një prej të afërmve të Vasil Pilos, i cili tha se djali i ri ishte tifoz i ekipit. Thoma Ninka tregoi se Vasili kishte lindur në Selanik dhe jetonte me të emën dhe motrën, ndërsa i ati i kishte ndërruar jetë vite më parë. Sipas Ninkës, që prej asaj kohe kontaktet mes tij dhe familjes së Vasilit nuk ishin aq të shpeshta.

“Jam kushëriri i parë i babait të Vasilit. Ne e morëm vesh lajmin nga TV, e dhanë lajmet. Djali kishte lindur në Greqi. Djem të rinj ndjekin ndeshjet, nuk e di çfarë ekipi ishte, pak e di, siç iknin me fugon ishin përplasur me një kamion edhe kjo është ngjarja. Jetonte në Greqi, i ati i kishte vdekur. Jetonte me motrën me të ëmën”, rrëfen ai.

Më tej Thoma Ninka tregon për marrëdhëniet familjare, dramën sociale dhe të kaluarën.

“Nuk kemi pasur shumë lidhje që kur i vdiq i ati dhe e ëma u rimartua me një tjetër dhe ne nuk dimë se çfarë ndodhte andej, s’kanë ardhur ndonjëherë këtu në Shqipëri ata. Pavarësisht se ne nuk kemi pasur lidhje se siç ikën, se ne nuk vinim dot, se nuk kemi as kartat, pasaportat që të vemë. Duke të vdekur dhe kushëriri mbyllen shumë gjëra, nuk e dimë, se e ëma u martua. Ka gati 10 vite i ati që i ka vdekur, kur ishte rreth 13-14 vjeç Vasili", tha ai.

Thomai thotë se familja ishte me origjinë nga Korça.

“Ishin emigrantë në Greqi, nga Korça është edhe e ëma, të gjithë nga Korça dhe siç ikin shqiptarët. Andej kanë lindur dhe djali dhe vajza. Fat i keq, fatkeqësi e madhe", tha i prekur Ninka.

Në furgonin e zi që u përplas dhunshëm me një kamion në Rumani ishin dhjetë tifozë të PAOK-ut, shtatë nga të cilët ndërruan jetë, gjashtë prej tyre në vend dhe njëri rrugës për në spital. Tre të plagosurit, mes trye edhe shqiptari tjetër Genci Sadiku, ndodhen duke marrë mjekime në spitalin e Timisoaras, jashtë rrezikut për jetën.