Një marrëveshje huaje me Bankën Evropiane të Investimeve, pritet t’i japë zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë për 800 mijë banorë në Tiranë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, tha se marrëveshja parashikon që kapaciteteve të Bovillës ti shtohet një burim i ri nga Guri i Bardhë në Klos.

Mjafton një ndërhyrje në burimin natyror të Gurit të Bardhë në Klos, që Tirana të ketë ujë të pijshëm 24 orë, duke hequr dorë nga pompat dhe depozitat me 52 km tubacione të reja.

“Investimi ka shtimi i një burimi ekstra për Bovillën, pjesa e dytë është unaza e qytetit, siguron që të ketë presion të barabartë të ujit, të arrijmë objektivin ujin 24 orë në Tiranë. Shumë zona furnizohen me ujë nga njësi të tjera”, tha Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

Këto janë parashikimet e projektligjit për huanë 80 milionë euro mes këshillit të Ministrave dhe Bankës Evropiane të Investimeve, që nuk kaluan pa debate gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve.

“Rritja e çmimit të ujit, duke i shtuar edhe 80 mln euro kredi a do rritet uji?”, pyeti Toni Gogu

“Nuk transpozon kosto të shtuara në kompaninë e ujit”, u përgjigj Mazniku.

Nënkryetari i bashkisë iu përgjigj edhe shqetësimit të opozitës për pasojat që mund tu sjellë kjo marrëveshje banorëve të Klosit.

“Pa e dëmtuar zonën ku merret uji për të mirën kombëtare. Jo të dëmtojmë gurin e bardhë por të furnizojmë një qytet me 800 mijë banorë. Në sezonin e vaditjeve Guri i Bardhë do të vijoi të përdoret për aq sa të jetë nevoja”, tha ai.

Por përse qytetarët aktualisht nuk kanë ujë të pijshëm në çezmat e tyre?

“Uji n rrejt kontrollohet në mënyrë të përditshme, por sa kohë që një pjesë e qytetit e mban në depozitat personale, uji që marrin në shpi nuk ka fjetur tek UKT sepse ka ndenjur në një depozitë tjetër”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Investimi me kosto totale 140 milionë euro pritet të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2023. Prioritet nuk është vetëm furnizimi i pijshëm por edhe që ai të jetë me presion përmes krijimi të unazës, e cila do të eliminojë pompat. Huaja u mbështet nga deputetët e Komisionit të Ligjeve me 10 vota pro dhe 4 kundër.