Një shpërthim i dyshuar gazi në një minierë qymyri në zonën e kontrolluar nga rebelët në lindje të Ukrainës ka shkaktuar 30 viktima dhe ende nuk dihet asgjë mbi fatin e 40 të tjerëve.

Zyrtarë të palës së rebelëve pro-Rusë deklaruan se nuk mund të konfirmojnë numrin zyrtar të vdekjeve në minierën e Zasyadko në Donetsk. Të paktën 14 minatorë kanë mbetur të lënduar në Zasyadko, në fatkeqësinë më të madhe të shënuar në 8 vitet e fundit.

Familjarët e minatorëve janë mbledhur në pritje të lajmeve të reja në afërsi të zonës së shpërthimit. Ende nuk ka shumë informacione mbi situatën e minatorëve të bllokuar brenda minierës. Në zonën e Donetskut raportohet se nuk ka patur luftime gjatë ditëve të fundit, ndonëse aty janë zhvilluar luftime të ashpra mes rebelëve separatistë dhe trupave qeveristare të Kievit.

Ekonomia e Ukrainës ka pësuar një dëm të madh që prej nisjes së konfliktit në prill të vitit të kaluar dhe minierat e qymyrit vazhdojnë punën në zonën në lindje të Ukrainës. Para zhvillimit të konfliktit aksidentet në minierë kanë qenë të zakonshme për shkak të standarteve të ulëta të sigurisë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)