Ukraina akuzon Rusinë se po përdor raketën  me rreze veprimi 9M729, armë e zhvilluar fshehurazi dhe që çoi ish-presidentin amerikan Donald Trump të tërhiqej nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) në vitin 2019. 

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha tha për Reuters se Rusia ka goditur Ukrainën 23 herë me këtë lloj rakete që nga muaji gusht, dhe dy herë të tjera në vitin 2022. Një prej raketave të lëshuara më 5 tetor fluturoi mbi 1,200 kilometra përpara se të godiste objektivin në Ukrainë.

Raketa 9M729, e cila mund të mbajë ngarkesë bërthamore ose konvencionale, ka një rreze veprimi deri në 2,500 kilometra, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Një lëvizje e tillë nga rusët e vë Evropën përballë një kërcënimi të ri për sigurinë. 

9M729 bëri që Shtetet e Bashkuara të tërhiqeshin nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF) në vitin 2019. Uashingtoni tha se raketa ishte në shkelje të traktatit dhe mund të fluturonte shumë përtej limitit të tij prej 500 km (310 milje), megjithëse Rusia e mohoi këtë.

“Përdorimi nga Rusia i raketës 9M729, e ndaluar nga INF, tregon mosrespektimin e Putinit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjeve diplomatike të Presidentit Trump për paqe,” deklaroi Sybiha. 

Ai shtoi se Ukraina mbështet propozimet e Trump për paqe, por kërkoi që Rusia të përballet me presion maksimal ndërkombëtar dhe që Kievi të pajiset me raketa me rreze të gjatë si Tomahawk.

Analistët perëndimorë theksojnë se përdorimi i 9M729 rrit kapacitetet e Rusisë për të goditur nga thellësia e territorit të saj dhe mund të shërbejë si sinjal kërcënues ndaj Evropës, ndërsa zhvillohen përpjekje për negociata të reja për paqen. Pamje të mbetura nga një sulm rus në fshatin Lapaiivka më 5 tetor, ku u vranë katër civilë, tregojnë fragmente raketash të shënuara me “9M729”, duke konfirmuar përdorimin e kësaj arme të ndaluar.

Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se Rusia po teston sistemin në kushte reale lufte dhe po kërkon mënyra të reja për të shmangur mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Nëse përdorimi i këtyre raketave konfirmohet plotësisht, ai përbën një kërcënim serioz për sigurinë e të gjithë kontinentit evropian.