Ukraina dhe kryengritja e Wagner në Rusi, në qendër të takimit të udhëheqësve të BE-së

Ukraina dhe kryengritja e Wagner në Rusi, në qendër të takimit të udhëheqësve të BE-së

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën të enjten, në një takim të nivelit të lartë për të diskutuar rreth rëndësisë që duhet kushtuar mbrojtjes së krahut lindor nga agresioni rus, si dhe forcimit të aftësive mbrojtëse të Ukrainës. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të jenë në qendër të vëmendjes në këtë takim.

Presidenti Zelensky do t'i drejtohet udhëheqësve evropiane përmes një telekonference. Ndonëse nuk është zyrtarisht në axhendë, një hapësirë të madhe diskutimi pritet të marrë rebelimi i grupit Wagner, gjatë fundjavës në Rusi si dhe ndikimi që ai mund të ketë në qeverisjen e Presidentit Vladimir Putin.

“Rebelimi që pamë në fundjavë tregon se ka çarje dhe ndasi brenda sistemit rus. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se këto janë çështje të brendshme ruse”, tha zoti Stoltenberg pas mbërritjes në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Udhëheqësit e BE-së janë dakord me këtë vlerësim. “Kjo tregoi çarje të thella në sistemin e Putinit. Kjo kryengritje e fundjavës së kaluar do të pasohet nga veprime të tjera”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Gitanas Nauseda, President i Lituanisë, njëri nga disa vendet e BE-së që kufizohen me Rusinë, këmbënguli se kryengritja e fundjavës është një arsye tjetër për të marrë një qëndrim të fortë ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.

“Disa kolegë ndonjëherë thonë se një Putin i fortë është më pak i rrezikshëm se një Putin i dobët. Unë nuk jam dakord me këtë. Ne duhet të ecim përpara dhe të jemi vendimtarë, sepse tani është një moment vendimtar i historisë”, tha ai.

Krisjanis Karins, Kryeministri i Letonisë, një vend tjetër në kufi me Rusinë, tha se "nuk mund të kontrollojmë atë që po ndodh brenda Rusisë, por ne mund të kontrollojmë atë që bëjmë nga jashtë".

Zyrtarë nga disa shtete anëtare dhe institucione të BE-së thanë se kaosi dhe paqëndrueshmëria e krijuar nga rebelimi jo vetëm që do ta detyronte BE-në të dyfishojë mbështetjen e saj për Ukrainën me angazhime për më shumë municione, por gjithashtu të sigurojë që luftimet dhe dhuna të mos përhapen në vetë vendet anëtare të bllokut.

"Nuk ka vend për hezitim", tha Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas. "Ne duhet të vazhdojmë të rrisim koston e agresionit rus."

Disa udhëheqës të BE-së thanë se efektet e rebelimit kanë arritur deri tek Kremlini.

“Gjithsesi, ato (kryengritjet) sigurisht që do të kenë një ndikim afatgjatë në Rusi”, tha kancelari gjerman Olof Scholz për kanalin ARD. "Unë besoj se (presidenti rus Vladimir Putin) është dobësuar."

Kancelari Scholz e tha atë që shumë udhëheqës të BE-së shpresonin se do të ndodhte. Ata tani po shohin ndikimin në rritje të 11 raundeve të sanksioneve që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Megjithëse BE-ja mund të mos ofrojë ndonjë garanci ushtarake, ekziston një frymë mbizotëruese se udhëheqësit e saj do të ashpërsojnë gjuhën në deklaratën përfundimtare të takimit të tyre. Në draftin e fundit, të siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press, udhëheqësit thonë se "janë të gatshëm të kontribuojnë, së bashku me partnerët, në angazhimet e ardhshme të sigurisë ndaj Ukrainës, që do ta ndihmojnë Ukrainën të mbrohet në aspektin afatgjatë, të frenojë aktet e agresionit dhe t'u rezistojë përpjekjeve të destabilizimit.”

Shumica e vendeve të BE-së janë gjithashtu anëtarë të NATO-s dhe në takimin e aleancës më 11-12 korrik ata do të shqyrtojnë ofrimin e më shumë garancive në fushën e sigurisë për Ukrainën, megjithëse nuk pritet t’i ofrojnë asaj anëtarësim të plotë në NATO.

Vendet e BE-së kanë ofruar gjithashtu ndihma prej miliarda eurosh për të rritur rezervat ushtarake të Ukrainës dhe për të mbështetur ekonominë e dëmtuar të vendit. Udhëheqësit e BE-së do të shqyrtojnë edhe mundësinë e përdorimit të pasurive të ngrira të Rusisë, që kapin shifrën e rreth 200 miliardë eurove, për të ndihmuar Kievin./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër