Ukraina dhe Moldavia mund të hedhin një hap historik drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda pak ditësh. Sipas diplomatëve europianë, Hungaria ka sinjalizuar se është gati të heqë dorë nga kundërshtimi i saj afatgjatë ndaj kandidaturës së Ukrainës, duke i hapur rrugën nisjes formale të negociatave të anëtarësimit.
Hapi i parë pritet të ndodhë më 15 qershor gjatë një konference ndërqeveritare në Luksemburg, ku mund të hapet grupi i parë i negociatave, një procedurë zyrtare që shënon fillimin e procesit të anëtarësimit në BE.
Për Ukrainën dhe Moldavinë, procesi është i lidhur ngushtë. Të dy vendet aplikuan në të njëjtën kohë për anëtarësim dhe përparimi i Moldavisë varet nga ecuria e Ukrainës. Kjo do të thotë se pa miratimin për Kievin, as Kishinau nuk mund të ecë përpara.
Për vite me radhë, Hungaria e drejtuar nga Viktor Orbán ishte kundërshtarja më e fortë e anëtarësimit të Ukrainës, duke përdorur të drejtën e vetos për të bllokuar përparimin e procesit. Por sipas diplomatëve europianë, qeveria e re hungareze ka dhënë sinjale se është e gatshme të ndryshojë qëndrim.
Ndryshimi duket se ka ardhur pas një takimi të zhvilluar të hënën mes ekspertëve ukrainas dhe hungarezë për çështjen e të drejtave të pakicës hungareze që jeton në Ukrainë. Sipas burimeve diplomatike, pala ukrainase ka ofruar garanci për adresimin e shumicës së shqetësimeve të ngritura më herët nga Budapesti.
Megjithatë, autoritetet hungareze tregohen më të rezervuara. Një zyrtar hungarez tha se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar dhe se negociatat vazhdojnë.
Sipas diplomatëve, ritmi i bisedimeve është përshpejtuar pas vizitës së kryeministrit hungarez Péter Magyar në Bruksel, ku ai zhvilloi takime me drejtues të lartë të BE-së. Një nga temat kryesore ishte edhe zhbllokimi i 16.4 miliardë eurove fonde europiane të ngrira për Hungarinë.
Gjatë kësaj jave ambasadorët e vendeve anëtare pritet të finalizojnë qëndrimin e tyre për hapjen e grupit të parë të negociatave. Ukraina duhet të paraqesë gjithashtu planet për reformat e brendshme dhe masat që do të marrë për çështjet e pakicave kombëtare.
Për të avancuar procesi, kërkohet miratimi unanim i të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Çdo shtet ka të drejtën të bllokojë negociatat në çdo fazë të tyre, qoftë në hapjen e grupit të parë, ashtu edhe në etapat e mëvonshme drejt anëtarësimit.
Komente







