1765622818_1762151935volodymyrzelenskyursulavonderleyen.jpeg

Ukraina do të hynte në Bashkimin Evropian që vitin e ardhshëm, me një përshpejtim shumë të madh krahasuar me procedurat e deritanishme për pranimin e vendeve të reja në BE, sipas draftit të planit të paqes të rishikuar nga Kievi së bashku me liderët evropianë dhe i paraqitur ditët e fundit administratës Trump. Këtë e zbulon Financial Times, duke cituar burime që kanë dijeni për propozimin. Një pikë e nismës përcakton shprehimisht se hyrja e Ukrainës në Evropën e bashkuar duhet të ndodhë “deri më 1 janar 2027”, pra gjatë vitit 2026.

Burimet e cituara nga gazeta e City-t thonë se Komisioni Evropian nuk kundërshton një kalendar të përshpejtuar për anëtarësimin e Ukrainës në BE, pavarësisht se Kievi ende nuk ka përmbushur zyrtarisht asnjë nga mbi 30 kriteret e nevojshme për t’u kualifikuar për anëtarësim. Një përshpejtim i procesit të anëtarësimit për Ukrainën do të përmbyste gjithashtu qasjen ndaj kandidaturave të rreth gjysmë duzine vendesh të tjera që prej kohësh presin të bëhen anëtare të Unionit.

Një kthesë e tillë, sipas të njëjtave burime të FT, do ta detyronte Brukselin të rishikonte tërësisht procesin e zgjerimit, përfshirë çështje si qasja në fondet e BE-së dhe të drejtat e votës. Përshtypja që lihet të kuptohet është se do të bëhej fjalë kryesisht për një angazhim simbolik, për t’i dhënë Kievit një lëshim të rëndësishëm në një pjesë të planit të paqes — hyrjen, në një formë apo tjetër, në bllokun e demokracive perëndimore — në këmbim të lëshimeve të Kievit në pika të tjera të planit, si një heqje dorë ose shtyrje e mundësisë së ardhshme për t’u anëtarësuar në NATO dhe garanci të tjera për sigurinë e tij.

“Nuk ka asnjë mundësi që Ukraina të jetë pjesë e BE-së deri më 1 janar 2027,” i tha gazetës britanike Mujtaba Rahman nga think tank-u Eurasia Group, “por një angazhim i tillë do t’i jepte më shumë forcë kandidaturës së Kievit dhe do ta përshpejtonte procesin e anëtarësimit.” Çelësi i argumentit është se, nëse propozimi do të pranohej nga Shtetet e Bashkuara, me shumë gjasë do t’i detyronte vendet evropiane më miqësore me Moskën, në radhë të parë Hungarinë, të mos vendosnin veton ndaj hyrjes së Ukrainës, siç ka kërcënuar të bëjë Budapesti: sepse nëse do të ishte Trump ai që do t’i kërkonte të jepte dritën jeshile nismës, kryeministri hungarez Viktor Orbán do të duhej të bindej.

Një mundësi për ta përshpejtuar anëtarësimin, vëren gazeta londineze, do të ishte t’u jepej vendeve të reja anëtare një “periudhë prove” prej disa vitesh dhe përjashtimi i tyre nga BE-ja nëse gjatë kësaj faze tranzitore do të kishte hapa pas nga pikëpamja e demokracisë dhe reformave të nevojshme për përkatësinë evropiane, siç ka sugjeruar së fundmi komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos. Natyrisht, mbi të gjitha këto rëndojnë dy të panjohura: qëndrimi i Uashingtonit ndaj propozimit dhe ai i Rusisë. Për këtë do të flitet me siguri në bisedimet e planifikuara për këtë fundjavë në Berlin, mes Steve Witkoff, negociatorit kryesor të Trumpit, liderëve evropianë dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

 


Lajmi kryesor:

Washingtoni u bashkohet bisedimeve me evropianët! I dërguari i Trump takime në Berlin me Zelenskyn dhe liderët në fundjavë