Në prag të zgjedhjeve presidenciale presidenti i përkohshëm ukrainas Oleksandr Turchyinov dhe kryeministri Arseniy Yatseniuk u bashkuan në një shërbesë fetare për t’u lutur për paqe. Kievi shpreson se këto zgjedhje do t’u japin fund konfrontimeve me Rusinë. Patriarku i kishës ortodokse ukrainase drejtoi lutjet e përfaqësuesve katolikë, ortodoksë, baptistë dhe muslimanë për t’i dhënë fund dhunës dhe krizës që ka mbërthyer vendin.

Lideri properëndimor i Kievit shpreson se zgjedhjet e së dielës do stabilizojnë situatën në republikën ish-sovjetike pas protestave që çuan në përmbysjen e presidentit Yanukovich të mbështetur nga Moska, ngjarje e cila mori si përgjigje zaptimin e Krimesë dhe rajoneve lindore ukrainase nga separatistët prorusë.

Më herët kryeministri Yatseniuk u bëri thirrje ukrainasve të merrnin pjesë në ato që ai i quajti zgjedhje të drejta dhe të ndershme e që do ishin një triumf përpara botës kundër agresionit rus. Ai u shpreh se ata kishin përgjegjësi për të votuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe siguroi banorët e rajoneve lindore se banditët nuk do t’i terrorizonin edhe për shumë kohë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)