Lufta bërthamore? Kërcënon Lavrov: Asnjëherë mos e nënvlerësoni rrezikun! Evakuohen 100 civilë nga fabrika e çelikut në Mariupol! Komandanti i regjimentit Azov: Nuk dorëzohemi

Lufta në Ukrainë vijon, ndërsa në disa qytetet ka pasur shpërthime. Në Odessa, Kharkiv, Luhansk dhe Mairupol ka pasur shpërthime dhe luftime të dhunshme. Ndërsa vend për diplomaci duket se nuk ka. Moska po përdor tone luftarake, dhe sipas Perëndimit,Vladimir Putin më 9 maj do të shpallë luftë totale.

Një operacion për evakuimin e civilëve të bllokuar në një fabrikë çeliku në qytetin jugor të Mariupol u zhvilluar, ndërsa Presidenti ukrainas tha se një grup prej rreth 100 personash ishin të parët që u larguan dhe duhet të mbërrijnë në qytetin e Zaporizhzhia nesër. Evakuimi është ndërprerë për sot dhe do të rifillojë nesër në orën 5 të mëngjesit. Por ndërkohë një nga komandant i regjimentit Azov, Svyatoslav Palamar ka thënë se ata nuk kanë ndërmend të dorëzohen, por se shpreson të evakuohen të gjithë civilët.

Dhe ndërsa "lufta e fjalëve" midis Rusisë nga njëra anë, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj nga ana tjetër vazhdon e pandërprerë. Qeveria ukrainase përsërit se e vetmja mënyrë për të rivendosur paqen është rivendosja e sovranitetit të Kievit mbi të gjithë territorin e vendit. Dhe Presidenti Zelensky u drejtohet ushtarëve rusë: ‘Mos luftoni’.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka folur me një gjuhë të ashpër, duke e akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për imperializëm. Ai tha se në kushtet ku ndodhet situata në Ukrainë, pacifizmi nuk ndihmon dhe se ukrainasit nuk mund të mbrohen pa armë.

"Do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën edhe më tej me para, me ndihma humanitare, por edhe me armë. Respektoj çdo pacifizëm, por qytetarëve të Ukrainës mund t‘u duket si cinike, nëse u thuhet, që duhet të mbrohen pa armë ndaj agresionit putinist. Kjo nuk shkon", tha Scholz. Ai i bëri thirrje Putinit që të ndalë sulmet ruse, të tërheqë trupat dhe të respektojë pavarësinë e Ukrainës.

Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka kërcënuar sërish Perëndimin me luftë bërthamore, duke thënë se rreziku nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë.

Mbrëmjen e djeshme, një avion rus ka shkelur hapësirën ajrore suedeze. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Stokholmit. Ndërkohë sot, pas Suedisë, Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Danimarkës. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, pas takimit me presidentin ukrainas Zelensky tha se Ukraina nuk mund të përkulet para një dhunuesi. 

Në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:45
Mariupol dhe fabrika e çelikut Azovstal u bombarduan gjatë natës

Fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol u bombardua gjatë natës. Lajmi u bë i ditur nga burimet e sigurisë ukrainase.

Ora 23:03
Lavrov: Rubla? Ju doni të paguani në euro, kjo është vjedhje

“A doni të paguani gazin në euro dhe t'i mbani paratë në bankat tuaja? Kjo është vjedhje e parave”, tha Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov duke folur në Televizionin Italian në lidhje me çështjen e pagesës së gazit të euro dhe jo në rubla.

Ora 22:49
Lavrov: Ne nuk duam të rrëzojmë Zelensky-n! Nga Ukraina nuk ka më kërcënime për Rusinë

1648459388_lavrov.JPG

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se qëllimi i Rusisë nuk është rrëzimi i Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai tha Moska kërkon që Ukraina të ndalojë armiqësitë dhe të lërë civilët të shkojnë.

"Ne nuk duam të rrëzojmë Zelensky. Ne nuk synojmë ndryshimin e regjimit në Kiev, ky është një specialitet amerikan. Ne as nuk kërkojmë që ai të dorëzohet. Ajo që ne kërkojmë është që ai të ndalojë armiqësitë dhe të lërë civilët të shkojnë. Ukraina nuk ka më kërcënime për Rusinë", tha ai.

Ora 22:45
Lavrov: Zelensky? Antisemitët më të mëdhenj janë hebrenjtë, madje dhe Hitleri kishte origjinë hebreje

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha gjatë mbrëmjes së sotme në Televizionin iltalian “Rete 4” tha se antisemitët më të mëdhenj janë hebrenjtë dhe sipas tij dhe vetë Hitleri ishte hebre duke lënë të kuptohej në këtë formë se po i referohej Presidentit ukrainas Zelensky.

"Zelensky? Antisemitët më të mëdhenj janë hebrenjtë, madje Hitleri kishte origjinë hebreje. Nazifikimi ekziston në Ukrainë.", tha Lavrov.

Ora 22:27
Lavrov: Krimet e luftës në Bucha? Dukshëm që janë të rreme

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë se krimet në qytetin Bucha janë të rreme dhe se kur ushtria ruse u largua nga qyteti, kishte një jetë normale.

“E vërteta është vetëm një, më 30 mars, ushtria u largua nga Bucha, Kryebashkiaku shpalli fitoren dhe qyteti ishte kthyer në një jetë normale. Pastaj pas tre ditësh filluan t'i tregojnë këta të vdekur, evidente se është false”, tha Lavrov gjatë një interviste për televizionin Rete 4.

Ora 22:07
Komandanti i Mariupolit: Nuk do të dorëzohemi, në fabrikë ka ende të plagosur në gjendje të rëndë, ka mungesë ushqimi dhe uji

Pavarësisht lajmeve se 100 civilë u larguan nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupolin e shkatërruar nga lufta drejt territorit të kontrolluar nga ukrainasit, një nga komandantët atje tha kanë mbetur shumë të plagosur.

"Ka ende të plagosur edhe në uzinë. Ata nuk janë evakuuar ende, por shpresojmë se do të largohen nga këtu. Gjendja e tyre është e rëndë, kanë nevojë për trajtim të duhur mjekësor, ushqim të duhur për t'u rikuperuar," tha Komandanti Svyatoslav Palamar njëkohësisht dhe Zëvendës Komandant i Regjimentit Azov për BBC-në.

Ai shtoi gjithashtu se përveç shpresës që civilët e mbetur të evakuohen trupat ukrainase janë të gatshëm të luftojnë dhe nuk synojnë të dorëzohen.

Ai tha se shpresonte që zyrtarët ukrainas dhe udhëheqësit e vendeve të tjera do të bënin gjithçka të mundshme për të evakuuar garnizonin nga Mariupol

Ora 21:52
Lavrov: Lufta bërthamore? Asnjëherë mos e nënvlerësoni rrezikun

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka kërcënuar sërish Perëndimin me luftë bërthamore. Ai tha se rreziku nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë, teksa shtoi se Rusia ka armë që nuk janë parë ndonjëherë "të zhvilluara sepse raketat amerikane do drejtohen kundër Rusisë jo kundër Koresë së Veriut".

"Ne ishim të gatshëm të bisedonim me SHBA-në për një marrëveshje të re për stabilitetin strategjik, por homologu amerikan i ka ndërprerë negociatat. Rusia  asnjëherë nuk i ka ndalur përpjekjet për të shmangur një Luftë të Tretë Botërore", tha ai.

Ora 21:09
Rrëfimet e dhimbshme të civilëve të evakuar nga fabrika e çelikut në Mariupol: Nuk kemi parë dritën e diellit prej kaq shumë kohësh

1651432257_Screenshot7.jpg

Natalia Usmanova është 37 vjecarja e cila ishte një nga shumë civilët e strehuar në bunkerët e nëntokësorë e cila falë evakuimeve që po kryhen në Mariupol arriti të dilte dhe sot të strehohet në një nga vendstrehimet  provizore në Donetk ka treguar për momentet dramatike kur predhat godisnin Mariupolin ndërsa ajo fshihej nën tokë.

“Kisha frikë se bunkeri nuk do ta përballonte atë, Isha e tmerruar. Kur bunkeri filloi të dridhej, unë isha histerike, nuk kisha besim se mund të dilja gjallë, isha aq e shqetësuar se bunkeri mund të shembej”, rrëfen ajo mes lotësh në momentet e para pas daljes nga bunkeri.

"Ne nuk e pamë diellin për kaq shumë kohë. Nuk mund ta imagjinoni atë që kemi kaluar terrorin, kam jetuar atje, kam punuar atje gjithë jetën time, por ajo që pamë atje ishte thjesht e tmerrshme”, tregon Natalia.

Ora 20:56
Kievi: Ka shumë hezitim nga Gjermania lidhur me armët dhe sanksionet

Dy muaj pasi trupat ruse pushtuan Ukrainën, Qeveria e Kievit e konsideron qëndrimin e Gjermanisë ndaj luftës së agresionit të Kremlinit si "mjaft hezitues" në krahasim me vendet e tjera evropiane.

“Gjermania duhet të marrë një rol udhëheqës në Evropë, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështjet Ostpolitike. Kjo vlen për dërgesat e armëve në Ukrainë, sanksionet kundër Rusisë dhe dhënien e statusit kandidat në BE për Kievin”, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba për mediat gjermane. 

Ora 20:46
Kievi ngre alarmin për provokime ruse në kufij

“Trupat e Federatës Ruse mund të vazhdojnë të sulmojnë objektivat pranë zonave kufitare të Ukrainës”, ky alarm është ngritur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Ai ka paralajmëruar për kërcënime të trupave ruse që lëshojnë sulme me raketa mbi infrastrukturat ushtarake dhe civile të vendosura në territorin e Ukrainës në kufij me territorin e Republikës së Bjellorusisë.

Gjithashtu raportohet dhe për pasjen e provokimeve të tjera të ushtrisë ruse në zonat e tjera kufitare të Ukrainës për të cilat rusët do të akuzojë njësitë e forcave të mbrojtjes ukrainase.

Ora 19:54
Shtyhet për nesër evakuimi nga zonat e tjera të Mariupol-it

Evakuimi i civilëve nga zona të tjera të Mariupol-it i planifikuar të ndodhte pasditen e sotme është shtyrë për nesër në mëngjes në orën 08:00.

Kujtojmë se më herët se 100 civilë arritën të largoheshin nga fabrika e çelikut “Azovstal”.

Ora 19:39
VIDEO/ I bën shenjë ushtarit të qëllojë dhe më pas nisi raportimin live të luftës për 'sulme' mbi dronët ukrainas! Gazetari rus tallet në rrjetet sociale

Gazetari rus Semyon Pegov, i cili rregullisht raporton live për luftën e Rusisë kundër popullit të Ukrainës, u bë objekt i talljeve në internet pas publikimit të videos së tij të fundit.

Pegov harroi të presë fillimin e videos, ku shihet teksa i jep sinjal ushtarit rus pas tij të qëllojë, e më pas nis raportimin për një sulm gjoja për shkatërrimin e një droni ukrainas. Video që tregon se mbrojtja ajrore ruse qëllon në qiell ekskluzivisht për xhirime.

Ora 18:58
Lufta në Ukrainë, Papa Françesku: Pushtimi rus i Ukrainës, hapa pas për njerëzimin

1651424459_Screenshot6.jpg

Papa Françesku e përshkroi pushtimin rus të Ukrainës si një regresion makabër të njerëzimit, duke thënë se vuajtjet e popullit ukrainas e bëjnë atë të qajë.

 

“Unë vuaj dhe qaj, duke menduar për vuajtjet e popullit ukrainas, dhe në veçanti të më të dobëtve, të moshuarve dhe fëmijëve. Madje ka raporte të tmerrshme për fëmijë të dëbuar. Mendimet e mia shkojnë menjëherë në qytetin ukrainas të Mariupol, qyteti i Marisë, i cili është bombarduar dhe shkatërruar në mënyrë barbare, tha Papa

Papa vijoi me thirrjet për krijimin e korridoreve të sigurta humanitare për ata që janë bllokuar në fabrikën e çelikut të qytetit të rrethuar, duke pyetur nëse po bëhet gjithçka e mundur për të heshtur armët.

Ora 18:38
Të qëlluar në kokë, me duar të lidhura dhe të vrarë brutalisht, zbulohet një tjetër varr masiv ne Bucha

1651423185_Screenshot5.jpg

Bucha është qyteti afër Kievit që është bërë sinonim i akuzave për krime lufte nga Rusia pas zbulimeve të varreve masive dhe vrasjes së civilëve.

Në valën e akuzave për krime lufte policia ukrainase raportoi të shtunën se gjeti tre trupa të qëlluar në kokë me duar të lidhura dhe të vrarë brutalisht.

“Tre trupat e gjetur në një gropë u vranë brutalisht nga ushtarët rusë, secili i qëlluar në kokë. Duart e viktimave ishin të lidhura, lecka ua mbulonin sytë dhe disave iu kishin zënë gojët. Ka gjurmë torturash në kufoma”, tha një zyrtar i policisë.

Ora 17:55
Kuleba: BE-ja duhet të vendosë embargo ndaj naftës ruse

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba ka kërkuar vendosjen e një embargoje ndaj naftë ruse nga vendet e BE-së. Kuleba e parashtroi këtë kërkesë gjatë një komunikimi që pati me homologun e tij të BE-së Josep Borell gjithashtu ai kërkoi që Ukrainës t’i jepet status i vendit kandidat në BE.

 

Ora 17:39
Scholz-Ukrainës: Pacifizmi s’ju ndihmon, Putin nuk luftohet pa armë

Kancelari gjerman Olaf Scholz duke iu drejtuar Ukrainës, tha se qasja pacifiste ndaj luftës nuk funksionon.

Duke folur në demonstratën e 1 majit në Duseldorf, ai premtoi se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me para, ndihma edhe armë.

 “Unë respektoj të gjithë pacifizmin, respektoj të gjitha qëndrimet, por një qytetar i Ukrainës duhet të duket cinik nëse i thuhet të mbrohet kundër agresionit të Putinit pa armë”, tha Scholz, i cili ditët e fundit ishte kritikuar pikërisht sepse ishte shumë i kujdesshëm në dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë.

Ora 17:02
 Zelensky : Evakuohen 100 persona nga fabrika e çelikut në Mariupol

100 persona janë evakuuar nga fabrika e çelikut “Azovstal” në Mariupol gjatë ditë së sotme. Lajmi u bë i ditur nga President i Ukrainës Volodymyr Zelensky. Ai falënderoi ekipin që realizoi evakuimin njëkohësisht tha se po punohet së bashku me ekipet e OKB-së.

“Filloi evakuimi i civilëve nga Azovstal. Grupi i parë prej rreth 100 personash tashmë është nisur drejt zonës së kontrolluar. Nesër do t'i takojmë në Zaporizhzhia. Faleminderit ekipit tonë! Aktualisht, ata së bashku me përfaqësuesit e #OKB po punojnë për evakuimin e civilëve të tjerë nga uzina”, tha Zelensky në një potim të tijin në Twitter. 

Ora 16:47
1000 civilë të bllokuar në fabrikën e çelikut, dalin pamjet satelitore që tregojnë dëmtimet nga bombardimet ruse

1651416472_Screenshot4.jpg

Fabrika e çelikut Azovstal është xhepi i fundit i strehimit për ushtarët ukrainas dhe rreth 1000 civilë në Mariupol, të cilët janë bllokuar në një rrjet të gjerë strehimoresh dhe tunelesh nëntokësore me ushqim, ujë dhe furnizime mjekësore në pakësim.

Kompleksi i përhapur industrial ka parë bombardime të rënda të artilerisë ruse dhe ajrore në ditët e fundit.

Që nga dita e djeshme ka nisur dhe evakuimi i civilëve të cilët po strehohen në një vend-strehimi të përkohshëm ne Donetks.

Fotot satelitore të bëra të premten japin një ndjenjë të madhësisë së zonës dhe shkallës së dëmtimit.

 

Ora 16:41
Sulm ndaj bazave të ushtrisë ruse në Izyum ka disa të vdekur

Disa persona janë vrarë gjatë një sulmi të forcave ukrainase bazave të ushtrisë ruse që ndodhen në qytetin Izyum, pjesë e rajonit të Kharkiv-it.

Lajmin e ka bërë të ditur Këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës Anton Herashchenko.

Ai tha gjithashtu se në mesin e viktimave të sulmit të ndodhur ditën e djeshme ka edhe zyrtarë të lartë nga Moska. Madje raportohet se në Izyum ndodhet edhe Kreu i Shtabit të Përgjithshëm rus, Gjenerali Valery Gerasimov, i cili prej atje po koordinon operacionet në Donbass.

Ende nuk ka asnjë konfirmim nga Moska, as për sulmin dhe as për praninë e gjeneralit. 

Ora 16:15
OKB: Evakuimi i civilëve nga fabrika e çelikut në Mariupol është në proces te sigurt

 Organizata e Kombeve të Bashkuara është duke kryer një operacion për kalimin e sigurt të civilëve nga uzina e çelikut “Azovstal” në qytetin ukrainas Mariupol.

Lajmi u bë i ditur nga Saviano Abreu, Zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Ende nuk mund të jepen detaje në lidhje me operacionin me qëllim për të mos rrezikuar sigurinë e të evakuuarve dhe autokolonës.

Gjithashtu dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq konfirmoji këtë pasdite operacionin e evakuimit duke thënë se ai është i sigurt dhe në koordinim me palët në konflikt.

"Kolona për evakuimin e civilëve filloi më 29 prill, përshkoi rreth 230 kilometra dhe arriti në fabrikën në Mariupol të shtunën në mëngjes, sipas kohës lokale.", tha një Zëdhënës i KNKK.

 

Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 46 persona ishin arritur të evakuoheshin nga zonat përreth fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol, ndërsa 20 persona u larguan nga uzina në 29 prill.

Ora 16:09
Të lodhur dhe të traumatizuar, të evakuarit nga fabrika çelikut mbërrijnë në Donetsk

1651414246_Screenshot2.jpg

Evakuohet dhe një grup prej 14 personash të tjerë nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol të cilët kanë mbërritur në një qendër të përkohshme strehimi në Bezimenne, në lindje të Mariupol në rajonin e Donetsk.

Ndërkohë 46 civilë të tjerë u evakuan dje nga zonat e banuara përreth fabrikës së çelikut Azovstal, pjesa e fundit e qytetit të Mariupolit të kontrolluar nga forcat ukrainase.

Imazhet nga agjencia e lajmeve Reuters  tregojnë një grup që përfshin burra, gra dhe një fëmijë që mbërrijnë me autobus në gjendje të lodhur dhe fëmijë të traumatizuar nga lufta.

 

 

 

Ora 15:59
Kiev: Po hetohen mbi 9 mijë krime lufte në Ukrainë

Janë mbi 9 mijë krime lufte që pritet të hetohet në Ukrainë dhe që do të ishin kryer nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit.

"Ne kemi identifikuar tashmë kriminelët e luftës, 15 persona në rajonin e Kievit, për shembull, 10 prej tyre”, tha prokurorja e përgjithshme ukrainase, Iryna Venedictova.

Ora 15:46
Pas Suedisë, Rusia shkel hapësirën ajrore të Danimarkës! Thirret ambasadori

Pas Suedisë, Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Danimarkës.

"Ambasadori rus do të raportojë nesër në ministrinë e jashtme. Një tjetër shkelje ruse e hapësirës ajrore daneze. Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe jashtëzakonisht shqetësuese në situatën aktuale", Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod, ka shkruar në Twitter.

Suedia dhe Finlanda pas pushtimit rus të Ukrainës po shqyrtojnë anëtarësimin në NATO. Moska paralajmëroi se një veprim i tillë do të kishte pasoja.

Ora 15:15
Moskë: Rrëzuam 12 avionë ushtarakë ukrainas dhe 12 dronë në Kharkiv

Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan dy avionë luftarakë ukrainas Su-24M, 12 dronë dhe dy raketa Tochka-U në rajonin e Kharkiv. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Moskës, gjenerali Igor Konashenkov.

Ora 14:36
Sulm kibernetik në Moldavi, rusët ‘godasin’ sërish! Çfarë po paralajmërojnë?

Grupi pro-rus i hakerëve “Killnet” ka goditur sërish! Pas sulmit të fundit në faqet institucionale në Rumani, radhën e ka Moldavia!

Shërbimet e sigurisë moldave e denoncuan këtë, duke informuar se sulmi kibernetik filloi rreth orës 14:00 me orën lokale, nga një sërë hakerash që operojnë nga jashtë vendit.

“Për momentin, autoritetet përgjegjëse po ofrojnë mjetet e nevojshme për të zmbrapsur sulmet ndaj infrastrukturës qeveritare dhe për të minimizuar ndikimin e tyre”, njoftuan shërbimet moldave, duke siguruar se sulmet kibernetike nuk patën pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e mjeteve apo mjeteve. të sistemeve të informacionit të Ekzekutivit.

Ora 13:24
Pelosi: SHBA nuk do të ndalë furnizimin me armë për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalojnë furnizimin me armë për Ukrainën nga frika se mos provokojnë Rusinë. Kështu deklaroi presidentja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, e cila u takua me Presidentin Zelensky në Kiev dhe mori prej tij medaljen e Urdhrit të Princeshës Olga për "kontribut të rëndësishëm personal" në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.

Ora 12:49
Bombardohet rëndë Kharkiv, goditet edhe aeroporti

Në 24 orët e fundit, forcat ruse kanë goditur Kharkivin me artileri dhe raketa tre herë. Kjo u raportua në Telegram nga Oleg Syniehubov, kreu i administratës ushtarake të rajonit.

Rrethet e Saltivka dhe Pyatykhatky dhe zona rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Kharkivit u prekën veçanërisht. Syniehubov i bëri thirrje popullatës që sot të qëndrojë në strehimore gjatë gjithë ditës.

Ora 12:43
Nancy Pelosi në Kiev: Nuk mund t'i përkulemi një dhunuesi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, duke folur në një konferencë për shtyp në Kiev, pas takimit me presidentin ukrainas Zelensky tha: “Ne nuk mund të frikësohemi nga dhunuesit, nëse ata kërcënojnë, nuk mund të tërhiqemi. Ne jemi atje për luftë, dhe ju nuk mund të përkuleni para një dhunuesi”.

Ora 11:23
Angeline Jolie nën ankthin e bombardimeve ruse, momenti kur aktorja dhe shoqëruesit e saj vrapojnë drejt një vendi të sigurt në Lviv

1651397246_Sequence03.00120003.Still018.jpg

Aktorja e njohur Angelina Jolie, teksa ishte në një vizitë në Ukrainë, është dërguar me urgjencë në një vend të sigurt, pas nisjes së një sulmi nga trupat ruse në Lviv, në Ukrainë.

Jolie, 46 vjeçe, tërhoqi vëmendjen kur u shfaq në një video duke ecur me shpejtësi me një shoqërues nën zhurmën e një sirene që paralajmëronte sulm ajror.

Ndërsa grupi u filmua duke u larguar drejt një vendi të sigurt, një anëtare femër e ekipit të aktores kërkoi që mos të filmohej.

Vetë aktorja u kthye nga kamerat dhe tha 'jam mirë'.

 

Ora 11:10
Gazprom, ulet me 26.9% eksporti në 4 muajit e fundit

Eksportet e gazit të Gazpromit rus ranë me 26.9% në 4 muaj. Në të njëjtën periudhë kohore, kompania uli prodhimin e saj me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 175.4 miliardë metra kub. Gazprom, thotë agjencia ruse, vazhdon furnizimin me gaz sipas kërkesave të konfirmuara të konsumatorëve, në përputhje të plotë me detyrimet kontraktuale.

Ora 10:07
Bombardime nga qielli dhe toka, forcat ruse intensifikojnë sulmet në lindje të Ukrainës

Forcat ruse po intensifikojnë sulmet në Ukrainën lindore, duke sjellë armatim të rëndë dhe duke kryer bombardime me artileri të rënda. Kështu deklaroi shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës në Telegram.

Goditjet nga qielli dhe toka vazhdojnë në shumë zona, nga Kharkiv në Zaporizhzhia, ndërsa një nga objektivat kryesore duket të jetë qyteti industrial i Slovianskut në Donetsk.

"Forcat sulmuese të armikut vazhdojnë të forcohen, rreth 300 armë të rënda janë transferuar në lindje dhe në jug, trupat armike po kryejnë operacione përgjatë gjithë vijës së demarkacionit"., thuhet në njoftim.

Sipas shtabit të përgjithshëm, forcat ruse po përpiqen të çajnë linjat mbrojtëse të Ukrainës rreth Olenivka. Në përgjithësi në rajonet Donetsk dhe Luhansk, nëntë sulme të armikut u zmbrapsën, shtojnë ata. Në Lugansk, administrata rajonale raporton se fshati Zolote-3 u shkatërrua 70% nga zjarri rus.

Ora 09:41
Kryebashkiaku i Mariupol: Rusët vranë dy herë më shumë civilë se nazistët

Ushtria ruse vrau dy herë më shumë njerëz në Mariupol sesa u vranë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore: tha kryebashkiaku Vadym Boychenko. "Në harkun kohor të dy viteve, nazistët vranë rreth 10 mijë civilë në Mariupol. Pushtuesit rusë vranë 20 mijë civile në dy muaj. Mbi 40 mijë njerëz u zhvendosën me forcë," tha kryebashkiaku. "Është një nga gjenocidet më të këqija të një popullsie paqësore në historinë moderne," shton ai.

Ora 08:37
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi shkon në Kiev, takon Zelenskin: Do të jemi pranë jush derisa lufta të mbarojë

Pak ditë pas vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken dhe të Sekretarit të Mbrojtjes Austin, Shtetet e Bashkuara bëjnë një tjetër gjest diplomatik për të shprehur afërsinë e tyre me Ukrainën.

Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, aktualisht ndodhet në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vizita u bë e ditur nga vetë Zelensky, duke publikuar një video të takimit në Tëitter, ku morën pjesë edhe disa deputetë amerikanë.

“Ne po e bëjmë këtë vizitë për t'ju falënderuar për betejën tuaj për liri. Beteja juaj është për të gjithë. Angazhimi ynë është të jemi këtu deri në fund të betejës”, tha Pelosi në video.

"SHBA është një lider në mbështetje të fortë për luftën kundër agresionit rus," tha Zelensky. “Faleminderit që ndihmuat në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë!”

Ora 07:56
Avioni ushtarak rus shkel hapësirën ajrore suedeze

Mbrëmjen e djeshme, një avion rus ka shkelur hapësirën ajrore suedeze. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Stokholmit.

Shkelja ndodhi ndërkohë që Suedia po vlerëson, mundësinë e aplikimit për t'u anëtarësuar në NATO, pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Është krejtësisht e papranueshme të shkelësh hapësirën ajrore suedeze”, tha ministri i Mbrojtjes Peter Hultqvist . “Ky veprim është joprofesional dhe shumë i papërshtatshëm duke pasur parasysh situatën e përgjithshme të sigurisë. Sovraniteti suedez duhet të respektohet gjithmonë, gjithmonë”.

Katër avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore suedeze mbi Detin Baltik në një episod të ngjashëm në fillim të marsit.

Ora 07:53
Kuleba: Paqe vetëm me sovranitetin e rivendosur

1651220145_6215aed781fe1.jpg

Mënyra e vetme për të rivendosur paqen në Ukrainë është rivendosja e sovranitetit të Kievit mbi të gjithë territorin e vendit. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba. "E vetmja mënyrë për të siguruar rendin dhe stabilitetin afatgjatë në Ukrainë është rivendosja e sovranitetit mbi të gjithë territorin e saj brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht," tha ai.

Ora 07:52
Zelensky: 23,000 ushtarë rusë të vdekur

1651260972_16498188119826.jpg

Që nga fillimi i pushtimit rus, 23,000 ushtarë rusë kanë vdekur në Ukrainë, sipas presidentit ukrainas Zelensky. Përveç kësaj, më shumë se 1,000 tanke ruse dhe gati 2,500 automjete të tjera ushtarake u shkatërruan, tha ai në fjalimin e tij të zakonshëm, duke theksuar se është e vështirë të llogaritet shtrirja e vërtetë e humbjeve. Moska ka pranuar më parë se më shumë se një mijë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt dhe vlerëson se numri i luftëtarëve ukrainas të vrarë është mbi 23,000.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zani: 01/05/2022 18:29

    I LUTEMI VLADIMIR PUTINIT DHE GJENERALEVE RUSE TE RUAJNE 10 RAKETAT E FUNDIT PER SHQIPERINE,,,TRE TI HEDHIN TEK PARLAMENTI I SHQIPERISE DITEN E ENJTE,,,PAS ORES 12.. KURSE 7 TE TJERET TI HEDHIN TEK GJIRI I LALZIT NE GUSHT....

    Përgjigju
    • het: 01/05/2022 21:59

      edhe je ne surrel

  • fix: 01/05/2022 07:58

    ketij kokaina i ben me keq sesa atij te surrelit, rusia po mer gjith europen ky sla te ura

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor