Pavarësisht arritjes së marrëveshjes së armëpushimit mbi konfliktin në Ukrainë, nga zona e luftës raportohet ende për sulme me predha.

Një ditë nga arritja e paktit të paqes mes Ukrainës e Rusisë bashkë me rebelët pro-Rusë, në qytetet e kontrolluara nga këta të fundit, në Donetsk dhe Luhansk, ka pasur goditje të reja me predha.

Në pritje të hyrjes në fuqi të armëpushimit këtë të dielë, bombardimet duket se kanë shkaktuar të paktën 3 civilë të vdekur dhe katër të plagosur.

Separatistët pro-Rusë akuzojnë forcat qeveritare të Kievit për rinisjen e sulmeve, ndërsa ushtria e Ukrainës nga ana tjetër referon për 8 ushtarë të vrarë dhe 34 të lënduar gjatë 24 orëve të fundit.

Më herët, sipas raportimeve nga zëdhënësi i forcave të armatosura Ukrainase, gjatë natës së zhvillimit të samitit të paqes në Minsk të Bjellorusisë, rreth 50 tanke dhe mjete luftarake ruse kanë hyrë në lindje të Ukrainës për t’u ardhur në ndihmë rebelëve pro-Rusë.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)