KIEV, 13 shkurt /ATSH-AFP/ - Pesimizëm në rritje vërehej sot për të ardhmen e marrëveshjes të nënshkruar një ditë më parë në Minsk për rikthimin e paqes në lindjen separatiste proruse të Ukrainës ku 27 persona kanë humbur jetën në prag të armëpushimit.
Plani, i quajtur Minsku 2, arritur pas 16 orëve negociatash mes drejtuesve rus, ukrainas, francez dhe gjerman, krijoi një dritë shprese, pasi përleshjet arritën nivele kritike këto javët e fundit duke e çuar bilancin e të vdekurve në 5 500 në 10 muaj.
Ndërkohë që armëpushimi i ri i parashikuar nga marrëveshjet e Minskut do të hyjë në fuqi të dielën në mesnatë, lindja e Ukrainës është përballur me një ditë të përgjakshme me 15 civilë dhe 12 ushtarë ukrainas të vrarë në 24 orë, sipas bilanceve të fundit ukrainase dhe separatiste.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko deklaroi dje se zbatimi i marrëveshjes së Minskut për një armëpushim në vendin e tij nuk do të ishte i lehtë duke përmendur një problem të besimit me Rusinë.
"Negociatat kanë qenë shumë të vështira dhe ne nuk presim një zbatim të lehtë të procesit", deklaroi Poroshenko për shtypin pas prezantimit të rezultateve të takimit para presidentëve dhe kryeministrave të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, François Hollande, të cilët morën pjesë gjithashtu në samitin e paqes, kanë lënë të kuptohet që prej të enjtes se do të ketë vështirësi aplikimi i Minskut 2 dhe kanë kërcënuar Rusinë me vendosjen e sanksioneve të tjera nëse armëpushimi dështon./
/ec/