UKRAINE- Aktivistët pro-rusë në lindje të Ukrainës janë duke shqyrtuar kërkesën e presidentit rus Vladimir Putin, i cili ditën e mërkurë u kërkoi të shtyjnë referendumin për pavarësi nga Ukraina.
 
Separatistët në qytetet e Donetskut dhe Luhanskut bënë të ditur se do të jetë vetë populli që do të vendosë lidhur me çështjen. Por jo të gjithë e pritën mirë kërkesën e Putin. Frika e tyre është se nëse referendumi nuk mbahet në datën e caktuar, atëherë qeveria e Kievit do t’i arrestojë si terroristë dhe separatistë.
 
Referendumet në qytetet lindore për pavarësi nga Ukraina ishin programuar për ditën e diel, ku edhe fletët e votimi janë gati. Por presidenti rus tha se shtyrja e referendumit mund të ndihmojë duke krijuar kushtet e nevojshme për dialog me Ukrainën.
 
Megjithatë kryeministri i përkohshëm ukrainas Arseni Jatsenuk tha se fjalët e Putin janë thjesht fjalë boshe. Ai ironizoi duke thënë se dikush duhet të informojë Putin se në Ukrainë nuk ka plane për referendum më 11 maj.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)