ITALI- Portieri i Juventus Wojciech Szczesny ka folur me nota mbivlerësuese për veten duke deklaruar se është portieri më i mirë i të gjitha kohërave. Polaku ka përdorur edhe pak humorin gjatë një intervistës ku ka thënë se ka arritur të ulë në stol dy nga portierët më të mirë.
“ Kur isha tek Roma unë kisha zëvendës portierin Alisson, i cili sot tek Liverpool është më i miri në botë. Tani tek Juventus zëvendësi im është një nga lojtarët më të mirë në histori. Konkluzioni del se unë jam portieri më i mirë në botë dhe në historinë e futbollit.’’- tha Szczesny.
Por edhe pse Gigi Buffonin ai e konsideron zëvendësin e vet në portën e Juves, ai e vlerëson legjendën italiane me nota maksimale.
“ Jam i lumtur që ai u rikthye. Një vit më shumë për të mësuar nga ai është eksperiencë e vlefshme. Vendimi i tij për të ardhur sërish në Torino është lëvizje e mirë për Juven dhe për mua. Mundësia për trajnim, komunikim dhe shkëmbim idesh me të nuk mund të blihen. Dy vite më parë kur erdha tek Juventus e dija se do të isha zëvendësi i tij. Sot jemi në situatën që ai është zëvendësi im. Por marrëdhënia jonë mbetet e shkëlqyer.’’
Por Wojciech Szczesny harron se Gianluigi Buffon ka qenë 17 vite titullar i padiskutueshëm tek Juventus dhe 17 vite tek kombëtarja e Italisë. 41- vjeçarit i mungon në sirtar vetëm një trofe i Champions League, ndërsa Wojzciek Szczesny nuk ka fituar asnjë trofe në arenën europiane, as atë ndërkombëtare.