Ulen me 5 lekë çmimet e naftës
me pakicë, rekord që nga 2003

Ulen me 5 lekë çmimet e naftës<br />me pakicë, rekord që nga 2003
TIRANE- Më në fund tregtarët shqiptarë kanë shijuar rënien e ndjeshme të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, duke ulur me afërisht 5 lekë për litër kuotat e shitjes me pakicë. Mesatarisht, një litër eurodiesel po tregtohet me 160-164 lekë, ndërkohë që 24 orë në parë shitej me 164-169 lekë. Ulja e vonuar në Shqipëri, vjen në një çast ku në tregjet botërore çmimi i naftës ka rënë deri 33 dollarë për fuçi, ndërkohë që mbetet ende larg tregut rajonal, ku hasen prej kohësh çmime mjaft më të ulëta.
 
Rajoni
Duke krahasuar çmimet e tregtimit të karburanteve, të publikuara në sitin “Fuel Prices Europe”, vendi ynë edhe gjatë ditës së djeshme rezultonte ndër shtetet me çmimin më të lartë në Evropë. Por edhe me çmimin e ri prej 164 lekësh, apo 1.2 euro për litër, karburantet në Shqipëri mbeten më të shtrenjtat në rajon. Të gjitha vendet e rajonit propozojnë çmime më të ulëta se Shqipëria kur vjen fjala të shitja me pakicë e karburanteve. Në Slloveni çmimi për litër naftë është ulur në 1,015 euro, në Serbi 1,073 euro, ndërsa në Bosnjë Hercegovinë 1,073 euro për litër. Çmimi është dukshëm më i ulët edhe në Greqi, ku një litër naftë kushton 0,978 euro. Në Kroaci një litër naftë kushton 1,008  euro, në Bullgari 1,012 euro, ndërsa në Hungari 1,007 euro. Çmimi bie dukshëm në dy shtetet e tjera fqinjë me Shqipërinë: Në Kosovë një litër naftë kushton 0,990 euro, ndërsa në Malin e Zi 0,870 euro për litër.
 
Shqipëria
Pasi çmimi i karburanteve në Shqipëri u rrit vazhdimisht gjatë pjesës së parë të këtij viti, për të arritur në gati 180 lekë, duke reflektuar shtrenjtimin në tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e taksës së qarkullimit me 10 lekë për litër, nafta shënoi për herë të parë rënie në fund të muajit gusht, me 10 lekë për litër. Tregtarët shqiptarë janë vënë vazhdimisht nën akuzë për mospasqyrimin e uljes së çmimeve botërore në shitjet me pakicë për qytetarët, ndërkohë që sipas tyre, kjo është e pamundur pasi tregu ynë funksionon përmes sistemit të rezervave.
 
Bota
Çmimi i naftës ka pësuar një rënie çmimi prej 70 përqindësh që prej rënies graduale, të filluar në qershor të vitit 2014, duke u shkaktuar humbje kompanive të naftës dhe qeverive që mbështeten kryesisht në të ardhurat prej tyre. Ndër arsyet e shumta të këtij fenomeni aktual ekspertët përmendin përshkallëzimin e tensioneve në mes Arabisë Saudite dhe Iranit, rënien e ritmeve të ekonomisë kineze, situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, refuzimin e vendeve eksportuese të OPEC-ut për të pakësuar prodhimin, hyrjen në treg të naftës amerikane të prodhuar nga shistet argjilore, etj. Një tjetër arsye është rrëshqitja globale e bursave që nga ditët e para të këtij viti, që trondit investitorët.
 
 
Programohet shitja e Albpetrolit me 95 mln euro 
Plani i privatizimit të kompanive shtetërore 2015-2017, i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, synon të sjellë 99.3 milionë euro të ardhura në buxhetin e këtij viti, por që gjithsesi ky mbetet një plan në varësitë kushteve të tregut. Nga kjo vlerë, 95 milionë euro pritet të përfitohen nga shitja e kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, Albpetrol. Ndërsa, mbi 4 milionë euro të tjera janë programuar të arkëtohen nga privatizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Një grup pune me asistencë teknike nga IFC, është duke studiuar mundësinë e ristrukturimit të kompanisë, me qëllim shitjen e tij si një aset strategjik.
 
3 mujori i katër i 2015-ës, bien shitjet e Bankers 
Bankers Petroleum ka publikuar të dhënat operacionale për tre-mujorin e katërt të 2015-ës. Gjatë kësaj periudhe, Bankares arriti një prodhim mesatar prej 18.137 fuçi në ditë. Prodhimi mesatar vjetor është 19,384 fuçi në ditë, kundrejt një prodhimi mesatar prej 20,690 fuçi në ditë në 2014-ën. Në vitin 2015, shitjet e naftës arritën një mesatare prej 19.546 fuçi në ditë, kundrejt mesatares vjetore prej 20.678 fuçi në ditë, në vitin 2014. Në tremujorin e katërt, çmimi i naftës ishte afërsisht 33.62 dollarë për fuçi kundrejt 39.5 dollarë/fuçi në tremujorin e tretë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë