Ulja drastike e konsumit gjatë muajve të karantinës por edhe në vijim po ndikon në rritjen e ndjeshme të depozitave të qytetarëve. Sipas të dhënave konsumi i popullatës u tkurr me mbi 7.5% duke reflektuar tendencën e tyre për të kursyer.
Referuar Bankës së Shqipërisë totali i depozitave në muajin tetor arriti në 1.08 trilionë lekë ose 8.8 miliardë euro, nga 8.7 miliardë euro që ishte në fund të muajit shtator. Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar rritja e depozitave është 600 milionë euro më shumë, pasi në 2019 totali ishte 8.2 miliardë euro.
Këto të dhëna dëshmojnë faktin se qytetarët po kursejnë çdo ditë e më shumë dhe shpenzojnë vetëm për ushqime, por ky fenomen nuk po ndodh vetëm në vendin tonë por në të gjithë botën.
Për ekspertët një situatë e tillë ka si shkak kryesor pandeminë dhe pasigurinë e shkaktuar. Jo vetëm qytetarët por edhe bizneset në një situatë të tillë kanë rritur kursimet dhe kanë ulur investimet pasi janë të pasigurt për të ardhmen dhe të ardhurat që mund të gjenerojnë.