Moti ka bërë një kthesë të fortë që prej ditës së djeshme. Ditët me diell ia kanë lënë vendin reshjeve të shiut e dëborës dhe temperaturave të ulëta. Ashtu si në disa zona malore në verilindje të vendit edhe Malësia e Krujës është zgjuar sot nën petkun e bardhë të dëborës.

Reshjet e dëborës të rëna gjatë natës në lartësitë 1000 m mbi nivelin e detit ka bërë që trashësia e saj në disa fshatra si Shkreta, Bruz Mali apo Qafshtama të shkojë në disa centimetra.

Edhe Malësia e Dibrës dhe Bulqizës është përfshirë nga reshjet e dëborës. Trashësia në zonat e larta si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës kalon mbi 20 cm.

Aktualisht nuk raportohet për bllokime të qarkullimit, megjithatë drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes për shkak të lagështisë dhe prezencës së dëborës.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:33
Bora dhe erërat e forta dëmtojnë rrjetin elektrik në Kukës, shkëputet energjia për 20 familje në fshatin e thellë Turaj (VIDEO)

 

Në fshatin e thellë malor Turaj të Kukësit, bora dhe erërat e forta kanë sjellë probleme në rrjetin elektrik, duke lënë pa energji rreth 20 familje.

Telat e këputur e të bashkuar mes tyre kanë vështirësuar furnizimin, ndërsa ekipet e OSHEE-së janë ngjitur në terrenet e vështira në zonë dhe po punojnë pa ndërprerje mes dëborës për të riparuar defektet.

Sipas Drejtorisë Rajonale të OSHEE Kukës, reshjet e dëborës në të gjithë zonën e qarkut Kukës kanë rritur vështirësitë në terren, por grupet janë në gatishmëri të plotë për të garantuar furnizimin me energji edhe në këto kushte ekstreme.

Ndërkohë, OSHEE Kukës thekson se i gjithë territori i qarkut Kukës, përveç zonës së prekur, furnizohet normalisht me energji elektrike. Në Turaj aktualisht po punohet për rikthimin e energjisë.

Ora 11:35
Masivi shkëmbor bllokoi një nga korsitë në aksin Qukës-Qafë Plloçë, nis puna për vendosjen e rrjetave dhe fortifikimin e mureve anësore

1759484416_qafeplloce.JPG

Vetëm një ditë pas shembjes se një masivi shkëmbor dhe dherave në aksin rrugor Qukës-Qafë Pllocë autoritetet kontraktore diten e sotme po bëjnë fortifikimin e mureve anësore dhe vendosjen e rrjetave në zonën ku ndodhi rrëshqitja.

Prej mëngjesit të sotëm grupet e punës kanë bëre të mundur largimin e nje pjese të inerteve që kishin zënë njërën nga 3 korsitë. Edhe në pjesë të tjera të këtij segmenti paraqitet rrezikshmëri për rrëshqitje të dheut për shkak të formatit strukturor dhe gjeologjisë së zonës.

Aksi rrugor Qukës-Qafe Pllocë u inagurua vetëm 28 ditë më parë.

Ora 11:23
Moti i keq/ Pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla në Vlorë! Tragetet do operojnë normalisht sipas destinacioneve

1759483676_vlore.jpg

Për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin tonë, në Vlorë është ndaluar lundrimi për disa mjete.

Sipas një njoftimi zyrtar anijet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit nuk do të lejohen të lundrojnë. Ndërkohë bëhet me dije se do të vazhdojnë të operojnë normalisht tragetet sipas destinacioneve të tyre përkatëse.

Njoftimi i plotë:

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 03-04.10.2025 duke filluar nga ora 14:00 datë 03.10.2025 në drejtimin VERI-VERI-PERËNDIM në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra, kërkojmë :

1. Është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë jashtë gjirit të Vlorës në det të hapur duke filluar nga ora 14:00 datë 03.10.2025.

2.Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.

3. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

4.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

 5.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 04.10.2025.

Ora 10:15
Reshjet e shiut dhe dëborës/ Rrugët në qarkun e Shkodrës, të gjitha të kalueshme

Që prej ditës së djeshme vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, ku në pjesën më të madhe ka mbizotëruar shiu dhe në verilindje, aktualisht 1000 m mbi nivelin e detit ka rënë dëborë.

Po si paraqiet situata në qarkun e Shkodrë?

Sipas një njoftimi, Prefekti i Qarkut informon se në të pestat bashkitë (Shkodër, Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz)  nuk janë raportuar problematika.

Të gjitha rrugët janë të kalueshme, teksa nuk raportohet probleme me furnizimin me energji elektrike.

Ora 08:31
Malësia e Dibrës dhe Bulqizës nën petkun e dëborës! Trashësia arrin deri në 20 cm

 

Reshjet e borës kanë përfshirë pjesën më të madhe të teritorit të Bashkisë Dibër dhe Bulqizë.

Gjatë natës dëbora ka zbritur deri në 700 m mbi nivelin e detit deri në afërsi të qytetit të Peshkopisë dhe Bulqizës.

Trashësia në zonat e larta si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës arrin mbi 20 cm, ndërkohë temperaturat kanë zbritur në 1°C në qytet, ndërsa në Lurë -5°C.

Sa u përket akseve rrugore nuk raportohen probleme të qarkullimit të automjeteve.