TIRANE- Ulet me 90 ditë burg dënimi për Lavdërim Tufën, njeriun e shpallur fajtor nga gjykata e Tiranës për vrasjen e biznesmenit Fatmir Rama. Vendimi i uljes së dënimit është marrë pak ditë më parë nga gjykata e Tiranës, e cila pranonte kërkesën e të dënuarit Tufa. Sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit, deri më datën 5 dhjetor 2014 i dënuari Lavdërim Tufa ka vuajtur gjithsej 17 vjet e 8 muaj e 28 ditë burgim.

I mbeten për të vuajtur edhe 2 vjet, 3 muaj e 2 ditë burgim. Gjithashtu, sipas vlerësimit të sjelljes për këtë të dënuar rezulton se, i dënuari Lavdërim Tufa gjatë qëndrimit në IEVP “Ali Demi” Tiranë karakterizohet nga një sjellje shumë e mirë, si me bashkëvuajtësit ashtu edhe personelin e IEVP. I dënuari është tip i komunikueshëm, i qetë dhe zbaton me korrektesë rregulloren e burgut. Ai nuk shprehet i penduar për kryerjen e veprës penale pasi nuk e pranon atë. Merr pjesë aktivisht në veprimtaritë trajtuese-edukative dhe nuk ka masa disiplinore.

I dënuari është i punësuar në organikën e burgut. Ka kontakte të rregullta me familjen. Sjellja dhe pjesmarrja e të dënuarit në këto aktivitete duhet të jetë e një shkallë të lartë, shëmbullore ose shumë e mirë, sipas përcaktimeve të bëra nga ligjvënësi, për të përfituar maksimalen e uljes së dënimit.

Ndërsa sipas kriterit të dytë, ulja maksimale e dënimit mund të pranohet nga Gjykata vetëm nëse, kanë kaluar 12 muaj nga dita që vendimi i dënimit ka marrë formë të prerë, ose nga ulja maksimale e mëparshme ose, nga vendimet e mëparëshme gjyqësore nuk është përfituar maksimalja e uljes së dënimit, e parashikuar për një vit kalendarik.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)