Në Belgjikë niveli i alarmit ka zbritur në shkallën e tretë nga 4 që ishte të martën e shpërthimeve në aeroport dhe metro. 7 persona janë arrestuar në Belgjikë dhe Paris, pas një aksioni anti terror mbrëmjen e së enjtes të shtrirë në Europë në lidhje me sulmet terroriste të Brukselit.

Aksioni u zhvillua në zonën e Schaerbeek dhe Jette në Bruksel, ku në total 6 persona u vunë në pranga pasi dyshohen se kanë lidhje me shpërthimet e së martës në aeroportin e Zaventem dhe metronë e Maelbeeek.

Ndërkohë një shtetas frances u arrestua gjatë operacionit anti-terror në veri të Parisit në periferi të Argenteuil, ku po planifikonte një atentat.

Ministri i Brendshëm francez tha se të arrestuarit mund të jenë pjesë e një grupi terrorist të cilët po planifikonin të godisnin Francën. Por Cazeneuve tha se ende nuk ka një lidhje mes të arrestuarit në Paris me sulmet e Brukselit.

Sipas autoriteteve belge besohet se në shpërthimet e së martës, që i morën jetën 31 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën, kanë marrë pjesë 5 persona. Tre prej tyre humbën jetën gjatë sulmeve, ndërsa dy të tjerë mendohet se janë ende të lirë.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)