TIRANE, 4 Korrik /ATSH/- Banka e Shqipërisë po ndjek vendimin e Bankes Qendrore Europiane  (BQE-së) duke ulur interesat e depozitave për t'i shtyrë bankat t'i përdorin paratë e depozitave për të kredituar ekonominë.Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore Shqiptare ka vendosur që norma e interesit e tepricës mbi rezervën e detyrueshme në euro të jetë 0.1% më e ulët se norma e interesit të depozitës, e përcaktuar nga Banka Qendrore Europiane.
Duke qënë se tashmë BQE e ka zbritur normën e interesit në territor negativ, do të thotë se të njëjtën gjë, madje në një masë pak më të madhe, do të bëjë edhe Banka e Shqipërisë.
Ky vendim nuk prek rezervën e detyrueshme në euro, për të cilën norma e remunerimit ( shuma e interesit që paguhet nga Banka e Shqipërisë për bankat, për rezervën e detyruar të mbajtur nga bankat tregtare ) do të vazhdojë të jetë 0. Por, nëse bankat tregtare mbyllin në Bankën e Shqipërisë më shumë para se rezerva e detyrueshme, atëherë ato duhet të paguajnë interesa për këto fonde. Kjo masë përfaqëson një lëvizje më të fortë se kurrë për t'i shtyrë bankat t'i përdorin paratë e depozitave për të kredituar ekonominë.
Vitin e kaluar, në kuadër të paketës për nxitjen e kredisë, Banka e Shqipërisë ndërmori edhe masa për të kufizuar investimet e bankave jashtë vendit, përmes rritjes së kërkesës për kapital të nevojshëm për mbulimin e këtyre investimeve.
Sistemi bankar e priti këtë masë me rezerva, me argumentin se, vendosjet e fondeve jashtë vendit, në formën e depozitave apo blerjes të titujve, ishte një veprim i detyrueshëm, për shkak të mungesës së një kërkese të shëndetshme për kredi dhe për shkak se në Shqipëri mungojnë alternativa të tjera të investimit të këtyre fondeve. Ky shtrëngim i mëtejshëm e rrit presionin mbi sistemin bankar për të financuar ekonominë shqiptare. Megjithë politikën monetare agresive dhe megjithë masat lehtësuese rregullatore, kreditimi i ekonomisë vazhdon të jetë në rënie prej afro një viti.

Në muajin Qershor, Banka Qendrore Europiane mori një vendim për të çuar interesat e depozitave në vlera negative. Sipas eksperteve te fushes, kjo të do të thotë se bankat nuk do të përfitojnë interesa për të depozituar paratë e tepërta në BQE, por, përkundrazi, duhet të paguajnë 0.1% normë interesi për vendosjen e tyre.
Ky vendim historik erdhi si tentativë për të dobësuar euron, për të nxitur ekonominë e eurozonës dhe për të shmangur deflacionin, duke i shtyrë bankat t'i investojnë paratë dhe jo t'i mbajnë ato të mbyllura në llogaritë e BQE-së. e,xh/