Tiranë, 27 Janar /ATSH/.-Gazetarja Ulpiana Lame, prezantoi ditët e fundit në Paris, në Espace 26, Place Denfert Rocherau librin "Ia dolëm", një botim që i kushtohet çështjeve të Kosovës dhe problematikës që ka të bëjë me njohjen përfundimtare të pavarësisë së saj, promovim domethënës në prag të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Gjergj Themeli organizator i këtij aktiviteti, libri. "Ia dolëm", është një botim dhe përmbledhje e një punë shumë vjeçare e gazetares Ulpiana Lama.
Gazetarja me kete rast shfaqi një video ku prezantonte në formën e një monologu, idenë e punës së saj e cila e ka udhëhequr prej vitesh në rrugën e vështirë të luftës për liri të popullit të Kosovës, video e cila ngjalli emocion tek të pranishmit.
Shkrimtari dhe publiçisti Luan Rama, në fjalën e tij tha se, "ishte e natyrshme që Ulpiana Lama, gazetare e mediave të shkruara dhe elektronike, analiste politike, të prezantonte librin e saj , "Ia dolëm" në Paris, ku ka kryer studimet e larta në fushën e sociologjisë dhe të filozofisë, dhe ku krijoi erudicionin bazë të pasuruar me një veprimtari të dendur në fushën e komunikimit dhe ligjerimit politik, dhe duke u bërë për disa vjet dhe zëdhënëse e qeverisë së Kosovës".
Dhe pse libri i saj i kushtohet çështjeve dhe problematikës që ka të bëjë me njohjen përfundimtare të pavarësisë së Kosoves, ajo trajton në libër, çështje bashkëkohore që kanë të bëjnë me ndërtimin e një demokracie të re gjithpërfshirëse, duke cikur probleme sociale si tolerancën fetare, trashëgiminë kulturore, etj.Luan Rama, theksoi dimensionin e një publiçistike që dëshmon jo vetëm kulturë e mjeshtri në profesionin e gazetarisë dhe analistit politik e shoqëror, por edhe pse kjo shpesh jepet përmes gjetjesh interesante që marrin shkas madje dhe nga mitologjia.
"Kjo vepër është vetëm fillimi, pasi kjo autore do të na befasojë në të ardhmen me vepra akoma më interesante," tha Luan Rama.
Piktori i merituar Zamir Mati vlerësoi idenë e Lames, e cila sipas tij nis me dashurinë midis njerëzve, me respektin e dashurinë prindërorë, dashurinë ndaj njerëzve e sidomos të një pjese të popullit shqiptar atij të Kosovës.
"Libri ka ne bazë të tij, dashurinë ndaj vendit e respektin e luftës së tij në shekuj për liri dhe tani dashurinë dhe respektin për punën e tyre në ndërtimin e një jete demokratike e të një ndëryimi të shtetit me ligje e në kundërshtim me korupsionin", tha piktori Mati.Në këtë veprimtari përshëndeti dhe ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, i cili vuri në dukje se ky libër të tërheq me mënyrën e ndërtimit të tij dhe problematiikën që trajton , duke na dhënë një pasqyrë të gjërë të asaj çka ndodh vitet e fundit lidhur me Kosovën në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar. /f.n/










