Pushimet në Ulqin këtë verë mund t’ju kushtojnë shumë më shtrenjtë nga sa e kishit menduar nëse dilni nga plazhi me bikini apo pa bluzë. Autoritetet malazeze kanë vendosur rregulla të reja strikte për turistët dhe qytetarët që lëvizin me rroba banje në hapësirat publike të qytetit.

Kuvendi i Ulqinit ka miratuar një rregullore të re që ndalon ecjen pjesërisht të zhveshur apo me rroba banje në rrugë, sheshe, shëtitore, zona për këmbësorë dhe parqe. Rregulli nuk zbatohet në hapësirat e dedikuara për plazh, por hyn në fuqi sapo pushuesit largohen nga bregdeti.

Kjo do të thotë se turistët që dalin nga plazhi duhet të vishen para se të hyjnë në qytet, përndryshe rrezikojnë gjoba të majme. Sipas raportimit të gazetares Eliana Peku për Radio Ulqin, personat fizikë që shkelin këtë rregullore do të gjobiten nga 350 deri në 500 euro.

Autoritetet lokale e justifikojnë vendimin me nevojën për të ruajtur rendin, etikën dhe imazhin e qytetit gjatë sezonit veror, sidomos në zonat urbane dhe jashtë hapësirave rekreative të plazhit.

“Rregullorja u miratua me qëllim ruajtjen e rendit, një kulture sjelljeje dhe respektimin e hapësirave të përbashkëta publike”, tha kryetarja e Kuvendit Komunal të Ulqinit, Ivana Popoviç,

Vendimi pritet të prekë mijëra turistë, përfshirë edhe pushuesit shqiptarë që prej vitesh zgjedhin Ulqinin si një nga destinacionet kryesore të verës. Ndaj këtë sezon, përveç peshqirit dhe kremit të diellit, turistët do të duhet të kenë gjithmonë me vete edhe një bluzë apo fustan para se të dalin nga plazhi.