TIRANE - Punimet për rehabilitimin e Lumit të Lanës pranë maternitetit “Koço Gliozheni” dhe ndërtimin e rrugëve paralele, që duhet të sigurojnë lidhjen me gjurmën e Unazës së Madhe të Tiranës, në pjesën lindore të saj, kanë nisur zyrtarisht më 17 qershor, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Por, pas inspektimit të kreut të Bashkisë Lulzim Basha, punimet ndaluan dhe të gjitha makineritë e rënda u larguan.

Gërmimet kanë mbetur në hapat e para dhe, që nga muaji qershor, nuk është bërë asnjë lëvizje. Duket se shkak për këtë është bërë problemi i shpronësimeve të banorëve apo mosmarrëveshjet mes Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe firmës kontraktore. Sidoqoftë, ndërsa projektet e Bashkisë po vijojnë normalisht, ato që kërkojnë financim nga qeveria duket se janë lënë përgjysëm. Po kështu, as në lotet e tjera të Unazës nuk vihet re asnjë punim.

Në prag të përfundimit të mandatit qeverisës, Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte kryer me ngut katër tendera, për po aq segmente të Unazës së Madhe të kryeqytetit. Vlera e tyre arrinte në afro 55 milionë euro, por ishin disbursuar vetëm 1.5 milionë euro.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)