Komisioni i Trashëgimisë Botërore, UNESKO, i ka dërguar para pak kohësh një letër Ministrisë së Turizmit e Kulturës (MTKRS), ku janë renditur të gjitha masat që kanë nevojë për implementimin para takimit të UNESCO-s në qershor, për të diskutuar se çfarë hyn në listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik.

Letra e UNESKO-s dëshmon ndër të tjera “mungesën e kontrollit qeveritar mbi ndërtimet pa leje mbi trashëgiminë, sidomos në qytetin e Gjirokastrës dhe të Beratit”. Letra shprehte shqetësimin në lidhje “me 6 ndërtimet e paligjshme dhe mungesën e mirëmbajtjes në Berat dhe Gjirokastër”.

Letra e UNESKOS u lexua edhe në Komisionin e Kulturës dhe ministri Aldo Bumçi e ka anashkaluar përgjigjen, duke ia deleguar gjithë problemin pushteteve vendore.

“Gjirokastrës dhe Beratit i mungon një plan menaxhimi, dhe ne jemi dëshmitarë që fondet e dhëna të paktën në ato që dimë për Gjirokastrën janë menaxhuar nga njerëz dhe kompani pranë familjes së kryeministrit”, ka thënë deputeti i PS Auron Tare duke reaguar pas kësaj letre.

Ndërsa anëtari i Forumit Lorenc Bejko në dijeni të kësaj letre ka theksuar se “Komiteti i Trashëgimisë botërore, ka kohë që i ka tërhequr vëmendjen shtetit shqiptar për të kontrolluar ndërtimet pa leje në qendra historike dhe në anën tjetër për të siguruar një administrim rigoroz të këtyre siteve. Ajo që unë vë re, personalisht është se asnjë prej këtyre rekomandimeve të hershme të UNESCO-s nuk ka gjetur zbatim serioz”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.05.2013
 
Rdaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)