Veshjet, këpucët, gradat, kapele, kostume e uniformat ceremoniale të reja të policisë së shtetit pritet të kushtojnë 27.2 milionë euro buxhetit të shtetit. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur tenderin, i ndare në dy lote, për të cilin ofertat priten deri më 19 maj 2025.

Loti i parë është me vlerë 19.6 milionë euro dhe parashikon blerjen e uniformave, gradave, stemave dhe shenjave për policinë e shtetit. Sipas dokumenteve të tenderit do të blihen 78.150 uniforma bazë për policinë, si dhe 4.545 kostume bazë (këmishë, jelek, pantallona, kapele etj), për rreth 12 mijë punonjës policie gjithsej.

Pjesë e këtij loti është edhe blerja e uniformave verore, 8500 palë pantallona meshkuj-femra, si dhe 62,100 këmisha e pulovra. Kërkesa tjetër është prej 25,700 palë kostume e bluza për të dyja gjinitë që do të shërbejnë për stërvitje e shërbime. Uniforma të Veçanta dimërore dhe verore 5550 kostume dhe 105,900 veshje të tjera, bluza, pulovra, këmisha etj.

Uniforma e veçantë verore për punonjësit e policisë në plazhe Bluza e pantallona 4200 copë. Do të blihen 150 jelekë shpëtimi si dhe 1950 jelekë për operacionalen.

Uniforma ceremoniale do blihen 1,718 copë si edhe uniforma prezantuese për zyrat e pritjes qytetareve 270 copë. Sa i takon Gradave të Policisë së Shtetit që janë pjesë e këtij tenderi do blihen 21,586 grada të mëdha të shërbimit spaleti, 3,368 Gradë e madhe spaleti ceremoniale dhe 14,296 Gradë e vogël gjoksi.

Janë edhe 70,621 Stema e Shenjat e Policisë së Shtetit si edhe 3,942 Kordonë për uniformën Ceremoniale.

Ndërsa loti i dytë parashikon blerjen e shpërndarjen e këpucëve me vlerë 7.6 milionë euro. Me këtë fond synimi është të blihen 51,563 palë këpucë.

“Prodhimi duhet të organizohet në mënyrë të tillë që furnizimi me uniforma i punonjësve të policisë të bëhet sipas sezoneve të verës apo dimrit, në mënyrë që të mbulohen nevojat në kohë. Lëvrimi i artikujve të uniformave verore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Maj të çdo viti dhe lëvrimi i uniformave dimërore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Tetor të çdo viti”, thuhet në dokumentet e tenderit.