Union për Studentët e Diasporës
Klosi: Përmirësoni imazhin e vendit

Union për Studentët e Diasporës<br />Klosi: Përmirësoni imazhin e vendit
Për të koordinuar të rinjtë shqiptarë që jetojnë dhe studiojnë jashtë, Ministria kosovare e Diasporës organizoi Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, përmes të cilit do të synohet jo vetëm angazhimi i të rinjve në përmirësimin e imazhit të vendeve tona në botë, por edhe shfrytëzimi i njohurive të tyre në të mirë të forcimit të institucioneve në Shqipëri dhe Kosovë. I pranishëm në këtë takim si i ftuar special ishte edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili në fjalën e tij shprehu mbështetjen për iniciativën e ndërmarrë nga Ministria e Diasporës e Kosovës.
 
Ai theksoi se krijimi i një rrjeti ndërmjet të rinjve kosovarë por dhe të rinjve shqiptarë të Shqipërisë që jetojnë dhe studiojnë në Diasporë, është i domosdoshëm në kushtet kur më shumë se 300 mijë të rinj shqiptarë jetojnë ose studiojnë jashtë territorit shqiptar.
 
“Shqipëria dhe Kosova kanë kapacitete dhe vlera të pakontestueshme të rinjsh artistë, sportistë, akademikë, shkencëtarë etj., në diasporë, të cilët na ndihmojnë në përmirësimin e imazhit të vendeve tona në të gjithë botën. Ndaj ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me ju, për të krijuar rrjetin e të rinjve të diasporës”, - tha ministri Blendi Klosi.
 
blendi klosi kosove

Më tej Klosi theksoi se punësimi, edukimi, mbrojtja e shëndetit dhe e vlerave te të rinjtë, përfshirja e tyre në vendimmarrje e politikëbërje, do të arrihen vetëm duke bashkëpunuar.
 
Krijimi i modeleve më të mira me çdo fushë, shkëmbimit të eksperiencave dhe i një vizioni të qartë për sot dhe për nesër në vendet tona, në rajon dhe në diasporë është në fokusin tonë. Ne duhet ta dëgjojmë zërin e rinisë dhe ta mbështesim institucionalisht atë”, - tha Klosi.
 
Gjithashtu, Klosi theksoi se është detyrë dhe përgjegjësi e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që të ofrojnë kushtet e nevojshme që të rinjtë që jetojnë jashtë të krijojnë sa më shumë lidhje me vendet e tyre.
 
“Tashmë është një gjeneratë e tretë, e katërt, e cila ka lindur, është rritur, po zhvillohet në Europë apo më gjerë sesa Europa, dhe do të duhet të ketë shumë më tepër lidhje me vendin, duhet të ketë shumë më tepër me trevat tona, duhet të ketë më tepër njohuri në administratën shqiptare dhe atë të Kosovës. Prandaj, padyshim nuk mund të quhet më një ngjarje që një ministër i Shqipërisë dhe një ministër i Kosovës të bëjmë së bashku aktivitete të këtij lloji”, - tha Klosi.
 
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duke folur në këtë takim tha se ky rrjet është një mundësi e mirë për të angazhuar këta të rinj që njohuritë që marrin jashtë të mund ti ushtrojnë në Kosovë dhe Shqipëri.
 
“Është një potencial shumë i rëndësishëm për ne dhe një potencial i njohurive të teknologjive të reja, i diturive të reja, i shkollimit të rinjve për të cilën ne kemi nevojë. Ose ta tërheqim këtu ose të punojnë përbashkët sepse zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm kufijtë e Kosovës. As dija jonë nuk është dije e mbyllur, është dije e cila i kalon kufijtë edhe të Kosovës, kufijtë edhe regjional edhe evropianë. Dhe ne dëshirojmë që bashku me ju të i kapërcejmë këta kufij edhe ta kuptojmë që më nuk jemi gjithmonë të vetëmjaftueshëm por gjithmonë kemi nevojë të bashkëpunojmë me tjerët dhe të tërheqim dije dhe dituri të reja”, - tha Mustafa.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin ‘Antikorrupsion’, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: S'marrim pjesë, japim opinion nëse na kërkohet

Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin ‘Antikorrupsion’, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: S'marrim pjesë, japim opinion nëse na kërkohet