PRISHTINE, 19 Dhjetor/ATSH/-Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermane Kosovare dhe disa biznese tjera në vendin tonë i kanë ndarë 34 bursa për studente femra të njësive të ndryshme akademike në Universitetin e Prishtinës, duke u bazuar në notën më të lartë të studimeve dhe kushtet e dobëta ekonomike.
Drejtori financiar i Unionit të Bizneseve Shqiptare (UBSH), Vllaznim Kelmendi, ka thënë se këto bursa janë ndarë vetëm për femra, duke e pas parasysh mundësinë më të vogël të gjinisë femërore për t'u punësuar por edhe kushtet e rënda ekonomike në të cilat jetojnë ato.
Kurse, kryetari i Odes Ekonomike Gjermane Kosovare, Samir Krasniqi, ka thënë se gjithë meritën për këtë organizim e ka Unioni i Bizneseve Shqiptare.
" Sponsor i shpërndarjes së këtyre bursave është Unioni i Bizneseve Shqiptare me seli në Koln të Gjermanisë në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Shoqatën Gratë në biznes si dhe natyrisht me Odën Ekonomike Gjermnao-Kosovare që përfaqësojmë ne", ka deklaruar ai.
Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, ka thënë se Kosova ka nevojë për njerëz të ditur ndersa studentet përfituese të bursave i ka uruar që ta zhvillojnë dijen e tyre edhe më shumë.
Kurse, ministri i Diasporës, Valon Murati, ka thënë se diaspora ka qenë ndihmuese në të gjitha periudhat e zhvillimit të vendit tonë.
"Ne e kemi një marrëdhënie të posaçme me diasporën dhe mërgatën tonë si Kosovë, si qytetarë të Kosovë,s si shqiptarë në përgjithësi. Kjo diasporë ka qenë një element i rëndësishëm i mbijetesës sonë. Pa këtë diasporë ne nuk do të mund të mbijetonim, nuk do të mund të mbijetonim nëntë vjet të sistemit paralel, nuk do të mund të organizimin luftën çlirimtare, por ka qenë kjo diasporë e cila na ka ndihmua në të gjitha drejtimet. Është kjo diasporë e cila po na ndihmon edhe pas luftës", ka thënë ai.
Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani, i ka ndarë 34 bursa në vlerë prej 1200 eurove apo 100 euro në muaj për 34 studente të gjinisë femërore nga fakultete të ndryshme të UP-së./kosovapress/