TIRANE- Kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë Ervin Metalla, e ka quajtur një spekullim të rëmdontë bisedën e përgjuar nga emisioni investigativ “Fiks-Fare”, ku tre personat përmendnin emrin e kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, si pjesë e një skeme korruptive. Nëpërmjet një deklerate zyrtare, kreu i Unionit të Gjyqtarëve, shprehet se më shumë se fjalët që qarkullojnë, se sistemi i drejtësisë është i korruptuar, në gjyqësor ka njerës që punojnë me përkushtim dhe japin vendime në emër të drejtësisë.

Sipas Metallës, korrupsioni është një retorikë armiqësore që përdoret kundër gjyqësorit.Më tej në deklaratë thuhet se përfshirja e emrit të Xhezair Zagonjori në këtë histori spekulative, është bërë për të krijuar një burim frymëzimi për fushata populiste kundër gjyqësorit dhe gjyqtarëve të Shqipërisë. Në deklaratën publike, kreu i unionit të gjyqtarëve, shprehet se inkurajon mediat investigative, por prirja për të përgjithsuar korrupsionin në drejtësi, e bën tepër të kompromentuar misionin investigative të medias.

Fushatë populiste
Pamjet e transmetuara nga emisioni “Fiks-Fare” që tregonin pazaret në zyrat e gjykatëve, prokurorëve dhe kafenetë pranë gjykatave, kanë sjellë një fushatë populiste kunda sistemit gjyqësor dhe gjykatësve në tërësi. Sipas kryetarit të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Ervin Metalla, rasti në fjalë kërkon një hetim të shpejtë dhe professional, për të treguar se këto raste nuk mund të shërbejnë si burim frymëzimë të përgjithësimit të fenomenit. “Përfshirja e emrit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, të nderuarit Xhezair Zaganjori, gjyqtar me integritet të lartë moral e profesional, në një skenë të improvizuar nga disa spekulantë të rëndomtë, përbën apel për një hetim të shpejtë e profesional, për të treguar se këto raste nuk mund të shërbejnë si burim frymëzimi për një fushatë populiste kundër gjyqësorit dhe gjyqtarëve.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin që të apelojë edhe njëherë se, më shumë se fjalët e retorika armiqësore ndaj gjyqësorit e gjyqtarëve pa dallim, identifikimi jopërgjithsues i përgjegjësive dhe promovimi i vlerave bazuar në merita përbëjnë rrugën e vetme të besueshme për një gjyqësor të pavarur e përgjegjshëm”-thuhet në deklaratën e Unionit të Gjyqtarëve.

Denoncimi “Fiks-Fare”
Emisioni investigativ “Fiks-Fare”, ka transmetuar tre ditë më parë pamje filmike që denoncimin me zë dhe me figurë korrupsionin në sistemin e drejtësisë, çështje kjo e nisur që në gjykatën e Pukës, atë të apelit në Shkodër dhe deri në Gjykatën e Lartë. Pikërisht, kur çështja ka mbëritur në këtë gjykatë, disa sekserë që garantonin dhe zgjidhjen e problemit kanë përmendur emrin e kryetarit të Gjykatës së Lartë z. Xhezair Zagonjori.

Kamerat e “Fiks-Fare” sollën fakte për lirimin e një të arrestuari tjetër të ngjarjes në Fushë-Arrëz. Avokatët dhe sekserët kërkuan para për lirimin e të arrestuarit në emër të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Në pjesën e parë të videos së shfaqur, tregohen me emër avokatët sekserë, duke kërkuara para për gjykatësit e Gjykatës së Lartë. Kryetari i trupit gjykues kërkon 2 mijë euro, ndërsa të tjerët nga një mijë, në total 6 mijë euro ose nuk e marrin përsipër.

Sekuestro, pamjeve filmike në “Fiks-Fare”
Lidhur me skandalin korruptiv në gjykatat e vendit, njësia hetimore Task-Forcë ka nisur hetimet për të zbuluar pozicionin e personave të përfshirë në këtë histori korruptive. Bëhet fjalë për gjyqtarë, prokurorë, avokatë, sekretare, kancelarë dhe sekserë, që janë vënë në hetim, ndërkohë që ende nuk është kryer asnjë arrestim. Një grup hetimor ka shkuar pak ditë më parë pranë emisionit “Fiks-Fare”, ku ka tërhequr një kopje të filmimit bruto që gazetarët kanë bërë në rastin e investigimit të afera korruptive në sistemin gjyqësor dhe prokurori.
 
 Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)