TIRANE- Reforma e ndërmarrë, si në arsimin parauniversitar, ashtu edhe në atë të lartë, do të sjellë ndryshim të procedurave të pranimit të studentëve në universitete, por edhe të shpërndarjes së kuotave. Ky fakt pohohet për “Shqiptarja.com” nga zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, e cila ka pohuar se duhet orientuar tregu i dijes me tregun e punës dhe universitetet kanë filluar të bëjnë studime edhe për vlerësimin e brendshëm të tyre se si pjesa e studentëve që mbarojnë janë rekrutuar në tregun e punës.

Sipas saj, vitin e ardhshëm kur do të ndryshojë edhe mënyra e pranimit të studentëve në universitete do të ketë edhe degë apo forma të reja të pranimit në universitete, po kështu edhe forma të reja të punësimit. “Mos harrojmë që sivjet edhe në vitet në vazhdim do të ketë edhe degë të reja apo forma të reja të punësimit duke ndryshuar edhe këtë formatin e barazisë gjinore, balancat e ndryshme, tashmë nuk ka më punë për burra dhe punë për gra, tani ka punë që të rinjtë duhet të bëjnë, qofshin vajza apo djem.

Për t’i aftësuar këta në fusha të ndryshme inxhinerike, të biologjisë inxhinerikë, të informatikave të ndryshme, të zhvillimet të sektorëve në drejtim të formave që lidhen me standardin e degëve që do të krijohen do të futen edhe degë të reja”, ka theksuar Malaj, ndërsa thekson se këto ndryshime lidhen me prioritetet që qeveria i ka venë vetes për 4 vite.

Sipas saj, me futjen e degëve të reja pritet që të ketë edhe kurrikula të reja, ndërsa do të ketë edhe një ndarje të universiteteve për “produktin që do nxjerrin”. Sipas Malajt, me ndryshimet që do të bëhen nga reforma do të kemi universitetet qendrore, të cilat janë universitete që do të formojnë specialistë të nivelit të lartë, cilat janë ata që do të ofertojnë drejt tregut të punës, pikërisht bujqësinë dhe konkretisht agronomin, inxhinierin, veterinerin, ekonomistin që menaxhon, marketimin e produktit shqiptar, format e ndryshme të vetëpunësimit të të rinjtë.

Profesorati
Nga ana tjetër, reforma e ndërmarrë do të vendosë edhe piketat e duhura sa i përket logjistikësh dhe ambienteve për të gjitha universitet. “Në zbatim të ligjit të arsimit të lartë për paisjen e pjesës së laboratorëve, të mjediseve dhe përcaktimit që vendos korniza evropiane e standardizuar. Pra për një pedagog duhen 22 studentë, mos kemi më profesorë që bëjnë nga 600 orë mësimi, mos kemi më individë që drejtojnë pafund doktoratura të stërgjata, apo të mos kemi më institucione të cilët ndonëse duan të nxjerrin produkte cilësore, por për arsye të mospasjes së burimeve njerëzore apo të mjediseve logjistike, është i detyruar që cilësia të çedojë në krahasim me atë që ka nevojë kërkesë oferta” ka theksuar Malaj.

Të gjitha këto ndryshime do të vijnë pas përfundimit të maturës 2015 dhe më pas do të vendoset se cili do të jetë mekanizimi i saj, hyrës apo dalës. 

Shkrimi u publikua sot (20.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com