TIRANE- Në universitetet shtetërore në mbarë vendin votohet sot për të zgjedhur drejtuesit e rinj, dekanët dhe shefat e departamenteve. Të shoqëruar me debate dhe dyshime, këto zgjedhje për dekanë dhe rektorë i kanë përngjarë disi zgjedhjeve politike në vend. Megjithëse kandidatët kanë deklaruar se në këtë garë nuk ka të humbur, sërish përplasjet e forta mes tyre nuk kanë munguar.

Janë 5 mijë pedagogë, 140 mijë studentë dhe 3 mijë punonjës të administratës që sot do ti drejtohen qendrave të votimit të vendosura nëpër universitete për të vendosur se cilët janë drejtuesit e tyre, për një mandate 4 vjeçar. Votimet nisin në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 16:00. Vota e studentëve do të zërë 20 për qind, 70 për qind ajo e pedagogëve dhe 10 për qind ajo e administratës.

Në universitetin e Tiranës janë ngritur 10 komisione zgjedhore. Një qendër votimi do të jetë për një mijë studentë. Në garë janë rektori aktual, Dhori Kule dhe Mimoza Hafizi.

Në fakultetin e Mjekësisë kandidojnë drejtori i politikave shëndetësore në MSH, Pëllumb Pipero, Bajram Hysa, Genc Sulcebe, Arben Baboci. Mjekësia është dhe fakulteti që ka më shumë kandidatë. Kandidatët kanë zhvilluar një fushatë 2 javore parazgjedhore.
(sg.shqiptarja.com)