Universiteti i Tiranës, marrëveshje
me “G. C. Marshall” për studime shkencore mbi sigurinë

TIRANE - Në Sallën e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, u nënshkrua sot Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Shoqatës “George C. Marshall”, Shqipëri.
 
Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi mes palëve në studime shkencore në fushën e sigurisë kombëtare, përfshirja e mendimit shkencor në proceset e vendimarrjes së institucioneve shtetërore si dhe organizimi e promovimi i organizatave studentore dhe zhvillimi i programeve sensibilizuese në fushën e sigurisë kombëtare.
 
Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi u nënshkrua nga Prof. Dr. Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës dhe Prof. Dr. Pajtim Ribaj, Kryetar i Bordit Drejtues të Shoqatës “George C. Marshall”, Shqipëri.
 
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm drejtues të Shoqatës “George C. Marshall”, Shqipëri dhe anëtarët e Bordit Drejtues, pedagogë, studentë si dhe shumë të ftuar të tjerë.
 
Dy nënshkruesit, Kule dhe Ribaj u shprehën se, marrëveshja ka një rëndësi të veçantë, pasi synon të rrisë rolin, kualifikimin dhe motivimin e kërkuesve të rinj për studime në fushën e sigurisë, dhe vjen si fryt i bashkëpunimit të suksesshëm mes dy institucioneve në fjalë.
 
“Kjo nismë e ndërmarrë do të ketë ndikim në procesin e zbatimit sa më të mirë të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, duke arritur rezultatet e duhura në këtë sfidë”, tha Profesor Ribaj, kryetar i Bordit Drejtues të shoqatës. /ATSH/

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Plagoset me armë zjarri një person në aksin Postribë-Prekal (EMRI)