Të gjithë ata që duan të nisin studimet e larta me kohë të pjesshme, mund ta bëjnë atë duke filluar që nga dita e djeshme e deri më datë 10 tetor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka shpërndarë nëpër universitete udhëzimin që detajon afatet, procedurat dhe rregulloren që duhet të ndjekin këta të rinj. Sipas këtij udhëzimi aplikimi i kandidateve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, do të zhvillohet deri më 10 tetor, prej orës 8:00-16:00, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Ndërsa sipas udhëzimit, listat e fituesve do të shpallen me datë 15 tetor. Sa i përket aplikimit, udhëzimi i ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj përcakton se kandidati duhet të paraqitet personalisht në sekretarinë e fakultetit dhe të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm: Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave, ose të ndonjë dëftese/diplome tjetër studimi, të fituar jashtë vendit, të vlerësuar si e barasvlershme me të, në Shqipëri. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2012, duhet të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve që është kalues në provimet me zgjedhje. Një dokument tjetër që duhet dorëzuar është karta e identitetit ose pasaporta, si dhe fotokopje të tyre. Në dosje do të mbahet vetëm fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës. Gjithashtu, kërkohen edhe dy fotografi si dhe mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar në Postën Shqiptare. I fundit dokument, është deklarata e kandidatit që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme në Institucionet e Arsimit të Lartë publik. Për këtë vit akademik, qeveria ka miratuar 9300 kuota për studimet me kohë të pjesshme.
(sg/shqiptarja.com)