Universiteti, Rektori mban
peng fituesit e Tiranës

Universiteti, Rektori mban <br />peng fituesit e Tiranës
TIRANE- Në universitetin e Tiranës fakultete kanë qenë në radhë deri në mesnatë për të dorëzuar kutitë në rektorat, proces pa të cilin nuk mund të niste numërimi i votave nëpër fakultete. Kështu mbrëmë janë konfirmuar fitues vetëm Altin Shegani te fakulteti i Drejtësisë dhe Shezai Rrokaj te Filologjiku. Ndërsa te Ekonomiku, Gjuhët e Huaja, Mjekësia dhe Shkencat e Natyrës numërimi ka nisur pas mesnatës, pasi kanë ngelur peng i votave që duheshin dorëzuar në rektorat. “Po kjo është absurde, - shprehen disa prej kandidatëve për dekan. – Në zgjedhjet e kaluara në orën 23:00 të darkës ishte shpallur rektori fitues, ndërsa ne akoma nuk arrijmë të dorëzojmë kutitë në rektorat. Nuk i merr njeri në dorëzim dhe ne nuk mendojmë se është një rastësi. Por ne do të qëndrojmë këtu dhe patjetër që do të nisim sonte numërimin e votave, pavarësisht se sa vonë”, - na thonë kandidatët. Ndërsa në disa fakultete dihen fituesit, pasi janë të vetëm në garë. Siç është rasti i kandidatit te Infermieria, Petrit Bara dhe te Shkencat Sociale Theodhori Karaj. Ndërsa te Ekonomiku Andri Koxhaj garon me Sulo Hadërin, te Shkencat e Natyrës Ilirian Manollari garon me Mynir Konen dhe te Mjekësia janë katër kandidatë të fortë në garë. Ndërsa për postin e rektorit, Dhori Kule ka përballë Mimoza Hafizin, emra të cilët pritet të mësohen sot.
Fituesit
Në të gjithë universitetet e tjera publike, përveç atij të Sporteve, fituesit janë shpallur që në orën 20:00 të mbrëmjes. Dhe mund të thuhet me plot gojën se janë rikonfirmuar fitues “kasta e vjetër”. Kështu, sipas burimeve nga Komisionet Zgjedhore të Institucioneve të Arsimit të Lartë, më së shumti rektorët janë ata që kanë qenë edhe në mandatin e fundit 4-vjeçar. Po ashtu, edhe dekanët, me përjashtim të disa rasteve të rralla. Kështu, në Universitetin Bujqësor të Tiranës rektor është zgjedhur Fatos Harizaj, në Universitetin e Elbasanit Liman Varoshi, në Universitetin e Shkodrës Artan Harxhi, në Universitetin Politeknik Jorgaq Kaçani, në Universitetin e Arteve Petrit Malaj, në Universitetin e Korçës Gjergji Mero, në Universitetin e Gjirokastrës Gëzim Sala, në Universitetin e Durrësit Mit’hat Mema që të gjithë këta emra që e mbanin edhe më parë këtë post. Po ashtu në postet e dekanëve janë rikonfirmuar fitues kryesisht emrat që e mbanin më parë këtë post. Në fakt rikandidimi i tyre u bë i mundur pas ndryshimit të ligjit të arsimit të lartë, vetëm pak ditë përpara se të shpallej data zyrtare e zgjedhjeve. Pas ndryshimit të këtij ligji, dekanët dhe rektorët kishin mundësi të kandidonin për dy mandate radhazi për të njëjtin post, ndërsa në ligjin e mëparshëm kjo ishte e pamundur. Ndërkohë që gjatë ditëve në vazhdim do të shpallen emrat e fituesve të shefave të departamenteve si dhe për strukturat drejtuese të studentëve dhe të senatit akademik. Autoritetet e reja drejtuese gëzojnë të drejtën e një mandati 4-vjeçar, deri në vitin 2016.
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris