Ka shkuar në 46 bilanci i viktimave nga stuhia Ida, e cila goditi pjesën verilindore SHBA, tre ditë pasi shkaktoi dëme të mëdha në shtetin juglindor të Luizianës.
Stuhia solli reshje të rënda shiu në qytetin e Nju Jorkut, Nju Xhersit, Pensilvanisë dhe Konektikatit. Banorët janë përballuar me shtëpitë të mbushura me ujë, ndërprerjen e energjisë elektrike, çati të dëmtuara. Shumë prej tyre mbetën të bllokuar nga përmbytjet dhe disa humbën jetën.
Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se ekziston një emergjencë në shtetet e New Jersey dhe New York dhe urdhëroi ndihmën federale për të shtuar përpjekjet për të ndihmuar banorët. Biden thotë se nevojiten investime historike për t’u përballur me krizën klimatike, pasi verilindja e Amerikës është goditur nga përmbytje si pasojë e uraganit Ida.
Ndikimi i ndryshimit të klimës në shpeshtësinë e stuhive është ende i paqartë, por rritja e temperaturave të sipërfaqes së detit ngroh ajrin sipër dhe vë më shumë energji në dispozicion për të nxitur uragane, ciklone dhe tajfune.