LIVE-Uragani Milton mbërrin në Florida, rreth 2 mln shtëpi e biznese pa energji elektrike! Ka viktima
Milton, stuhia e shekullit, goditi shumë qytete në Florida të SHBA. Konfirmohen jetë të humbura por bilanci është ende I pasaktësuar nga autoritetet. 2 milion banesa e biznese kanë mbetur pa energji elektrike, pasi stuhia solli erë me shpejtësi deri në 193 kmh. Uragani pritet ta humbë fuqinë e tij por autoritetet thonë se është ende e rrezikshme të dalësh jashtë.
Milton, stuhia e shekullit, zbriti në Florida pasditen e së mërkurës me orën lokale të Floridas afër Siesta Key si një stuhi e kategorisë së 3. Ajo që solli ishte e pritshme: qiej të nxirë, stuhi me shi, përmbytje dhe erëra të forta mbi 190 kmh.
Shërbimi meteorologjik kombëtar paralajmëroi për përmbytje të menjëhershme për pjesën më të madhe të rajoneve në të gjithë shtetin e Floridas.
Në St.Petersburg era arriti shpejtësi marramendëse, aq sa shkuli çatinë e një stadium baseball.
Gati 2 milionë shtëpi dhe biznese raportohet se kanë mbetur pa energji në të gjithë shtetin, me lagje të tëra në errësirë. Në pjesën lindore te Floridas ne St Lucie janë raportuar jetë të humbura, por numri i tyre nuk është i saktësuar ende.
Janë me mijëra ata që kanë lënë banesat e tyre për tu larguar nga stuhia. Në qytetin Palmetto, pranë Tampas, qindra mijëra janë strehuar nëpër godinat e shkollave, si vendstrehime të sigurta.
Autoritetet janë ende në pritje të lindjes së diellit për të nisur operacione kërkiimi dhe nisjen bilanceve te dëmeve në njerëz dhe materiale. Presidenti Joe Biden e cilësoi Milton si stuhinë e shekullit dy ditë më parë dhe se do të ishte më shkatërrimtari në një shekull. Edhe pse gjatë orëve të natës Milton po e humb fuqinë, është ende e rrezikshme sipas autoriteteve që të dilet jashtë. Milton pritet të dalë nga territorI I Floridas pas mesditës së të enjtes me orën lokale.