TIRANE - Dy ish drejtuesit e Policisë së Shtetit Artan Didi dhe Artan Bajraktari janë përballur për afro 2 orë me njëri-tjetrin në ambientet e Prokurorisë së Tiranës ku po kryhen dhe hetimet për mos ekzekutimin e urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol për deputetin kristian demokrat Mark Frroku.

I pari që la ambientet e akuzës ishte ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Didi, deklaroi se me urdhër arrestin është njohur më datë 27 maj duke i qëndruar kështu versionit të tij të deklaruar dhe më parë për hetuesit.

Ndërsa ish-kreu i Interpol Tiranës Artan Bajraktari deklaroi se kjo çështje do të zgjidhet në gjykatë.

Didi i dorëhequr nga kreu i policisë dhe Bajraktari i shkarkuar nga zyra e Interpol Tiranës janë nën akuzë për shpërdorim detyre se nuk ekzekutuan mandat-arrestin për Frrokun, ndërsa vetë Bajaraktari ka deklaruar dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë se ka njoftuar me kohë eprorin e tij, por ky qëndrim mohohet nga Didi duke deklaruar se gjithçka e ka mësuar më 27 maj e më pas ja ka përcjellë Prokurorisë.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)