Televizioni Top Channel bëri të ditur se prokurorja e cështjes, e cila është përfaqësuese e palës shqiptare në këtë gjykatë është shprehur se Kumbaro kishte hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe dhe se kishte mundësitë dhe mjetet në dispozicion për tu zhdukur dhe për t'iu shmangur drejtësisë.
Avokati i Kumbaros është shprehur se kishte kontaktuar me familjen por nuk saktësoi nëse ishte kontaktuar apo jo klienti i tij.
Urdhri i arrestit është lëshuar nga drejtësia ndërsa pritet që policia britanike të bëjë ndalimin e tij, i cili pas arrestimit do të procedohet në gjendje arresti, deri në pritje të vendimit përfundimtar.
Kumbaro akuzohet për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1995. Atij i është dhënë leje qëndrimi për në Britani që nga gushti i vitit 1996, pas pretendimeve të tij se ai ishte refugjat kosovar, duke u paraqitur me emrin e rremë ,Shaqa Shatri.
