21 kryetar aktual  të degëve të PD nga 35  ku do të kryhen zgjedhjet për kryetar degë  kanë shfaqur pakënaqësi ndaj vendimit të kryesisë  së PD. 

Kryetarët e konsiderojnë të papranueshme hyrjen në proces zgjedhor në mënyrë selektive.

Për këtë arsye, burime për Report Tv konfirmojnë se  kryetarët e degëve që do të futen në zgjedhje kanë kërkuar takim me kryetarin Basha, takim i cili ende nuk është zhvilluar. 

Megjithë pakënaqësitë e tyre,  kryetari i Partisë Demokratike pas mbledhjes së kryesisë u ka nisur  35  degëve  vendimin e kryesisë  dhe një urdhër për procesin e  zgjedhjeve të reja të partisë  në bazë.  

Në urdhër parashikohet ngritja e grupeve të punës në bazë qarku,  dege, seksioni dhe grup seksioni  me qëllim  riorganizmin e strukturave të partisë  me qëllim mbulimin territorial  edhe në fshatin më të largët. 

Në këtë mënyrë me urdhrin e  ri të kryetarit Basha për zgjedhjet në 35 degë të PD, nga të cilat  14 do të jenë të reja  hapet kështu gara për kandidatët për drejtimin e këtyre strukturave. 

Ndërkaq   vihet re në urdhrin e kryetarit Basha, që kandidatët që do të marrin pjesë në  këtë proces, përveç të tjerave duhet të kenë plotësuar formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin.

Sipas këtij urdhri,  brenda datës  30 qershor  duhet të mbyllet procesi  i riorganizimit  si dhe i zgjedhjes së të gjitha strukturave të reja në degë.  

Por  vendimi i kryesisë së PD nuk  është mirëpritur nga  degët që do ti nënshtrohen procesit të ri të zgjedhjeve, e  pakënaqësia është më e madhe  në ato degë  ku në zonat e tyre do të krijohen  degë të reja,  siç është rasti i Durrësit që është kundërshtuar  ngritja e degës Durrës rrethina për  zonat përreth  qytetit.

Ndërkaq  pritet që kryetaret e aktual të degëve të japin dorëheqjen, siç ndodhi me kryetarin e PD Pogradec ose dhe të rikandidojnë për zgjedhjet në zonat përkatëse.
Kështu të mandatuarit për organzimin e strukturave në qarqe kanë filluar tashmë takimet me strukturat në bazë dhe pritet që në ditët në vijim të përcaktohen edhe  kandidatët në garën për drejtimin e degëve. 

Vendimi  i kryesisë për të dërguar në zgjedhje këto degë të PD  u mor pas konkluzioneve të dala nga  procesi  analizës së zgjedhjeve lokale të vitit të shkuar ku PD humbi në pjesën e më të madhe të bashkive.