Paralajmërimi për kontrolle në lidhje me çmimin dhe peshën e bukës duket se ka trembur furrat e bukës të cilat kanë nisur të zbatojnë afishimin e çmimit dhe peshës në të gjitha raftet. Report TV vëzhgoi në disa furra të kryeqytetit, ku duket se nuk ka pasur ende kontrolle, megjithatë urdhri është zbatuar.

Furrat e bukës kanë nisur të zbatojnë detyrimin për etiketimin e peshës së bukës dhe çmimit pas kontrolleve të paralajmëruara në terren duke filluar nga 15 nëntori.

Në ditën e parë të paralajmëruar për kontrollet në terren, Report TV bëri një vëzhgim në disa furra buke në kryeqytet, ku gjitha subjektet kishin afishuar çmimin dhe gramaturën e produktit.

Çdo klient që dëshiron të verifikojë masën e bukës, mund të kërkojë që ajo të peshohet, pastaj të paguajë.

“Është diçka pozitive që afishohen çmimet dhe gramatura, nëse dua i them vajzës e peshon këtu”.-tha një  kliente.

Ata thonë se lufta në Ukrainë ndikoi në rritjen e çmimit.

“Çmimet u rritën me 10-20 lekë kur nisi lufta në Ukrainë, prej asaj kohe nuk është rritur”.-tha një klient.

Vëzhgimi i Report TV në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, Laprakës dhe Freskut, konstatoi se furrat e bukës kanë nisur të zbatojnë urdhrin, ndërkohë që nuk evidentoi kontrolle nga Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut.