Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ka uruar Shqipërinë për drejtim të suksesshëm sipas saj të OSBE-së përgjatë gjithë këtij viti që ka qenë më i vështiri.

"Urime Shqipërisë për një drejtim të suksesshëm të Shqipërisë përmes vitit më të vështirë. Ne vlerësojmë vendosmërinë parimore të shprehur nga Kryeministri Rama në deklaratën e tij përmbyllëse duke kërkuar veprim për çështje të tilla si Bjellorusia, agresioni rus, liritë themelore", shkruan ambasadorja në Twitter.

Gjithashtu ajo ka zgjedhur edhe një citim të Kryeministrit Rama gjatë fjalës përmbyllëse në Ministerialin e OSBE ditën e djeshme

"Angazhimi i z. Rama: Asgjë nuk mund të ndryshojë bindjen tonë në lidhje me punën e përkushtuar për t'u bërë pjesë e familjes së BE dhe asgjë nuk do të ndryshojë zemrën tonë për të qenë të përkushtuar në marrëdhënien tonë me Shtetet e Bashkuara dhe BE, duke u rreshtuar gjithmonë me ta kur bëhet fjalë për politikën tonë të jashtme.”, citon Kim.

Shqipëria mbylli dje Kryesimin 1-vjeçar të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropës (OSBE).  Kryeministri Rama mbajti fjalën përmbyllëse në Ministerialin e kësaj organizate, pas zgjedhjes së krerëve ekzekutivë, ku është shprehur edhe pse me një eksperiencë shumë të vogël në këto nivele të diplomacisë botërore vendosi objektiva të larta dhe ia doli me sukses.

Vlerësime për këtë punë të Shqipërinë në këtë vit kaq të vështirë kanë ardhur nga përfaqësuesja e Suedisë, e cila merr kryesimin e radhës të OSBE-së pas vendit tonë dhe nga ana e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.