Urimi i ministres Nikolla për 7 Marsin

Sot është dita që të sjell urimet e festës nga nxënës, prindër e kolegë: nëse ende nuk e ke marrë nga një ish kolege, atëherë unë jam e para që të uroj:
 
Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën e mësuesit dhe shkollës shqipe!
 
Unë e di pasionin, dashurinë dhe përkushtimin që Ti ndan çdo ditë me nxënësit e tu. Ëndrra për çdo nxënës fillon nga një mësues. Kështu ka qenë edhe për mua.
Nuk e ke filluar edhe ti ëndrrën tënde nga mësuesja jote? Unë po. Njoh mësuesen, mësuesit që i dhanë krah dhe jetësuan edhe ëndrrën e sime bije.
 
Shpesh pyes veten nëse në 16 vitet e mia të mësimdhënies u shërbeva dhe unë nxënësve të mi, siç u kërkova dhe mësuesve të sime bije.
Nuk di a ia dola që përmes punës së pandalur dhe të vërtetave të përbotshme të kultivoja dijen, po aq sa edhe sjelljen e qytetarisë demokratike.
Sa nxënës ndihmova të mësonin ndryshe përmes bashkëpunimit, debatit e të të ushtruarit?
Sa arrita të ngjall dëshirën për të ndryshuar edhe tek të tjerë, që në të kundërtën  do të ishin në rrugë e problematikë për shoqërinë?
 
Përgjigjet përpiqem t’i gjej duke punuar së bashku me çdo mësues për kurrikulat dhe tekstet e reja, për programet e ndihmës për nxënësit e talentuar dhe me nevoja të veçanta, te klasat inteligjente, te shkolla qendër komunitare etj.
Mirënjohje edhe për kontributin tënd.
 
Si drejtuese e arsimit  e di se Ti meriton edhe më shumë mbështetje. Vendosja e sistemit të ri të emërimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, është një pikë e rëndësishme kthese, por ende kemi shumë për të bërë.
Vijojmë me një skemë të re kualifikimi, pasi, siç Ti e di, vlerësuam nevojat e secilit prej jush me një testim kombëtar.
Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla, por më duhet edhe ndihma jote.
 
Nëse shkolla është vendi ku e ardhmja hedh rrënjë, atëherë po shkolla është vendi ku e tashmja kërkon përfshirjen e të gjithëve.
 
Ndjesë për emocionet e mia, por dhe më shumë ndjesë nëse diku nuk ia kam dalë të jem edhe zëri yt. 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi