Gjatë prezantimit të ekipit të komisionerëve evropianë të Ursula von der Leyen, presidentja e re tha se ekzekutivi i saj pasqyron brenda tij "diversitetin e Evropës".

Por mesa duket, edhe në këtë legjislaturë, komisionerët janë të gjithë të bardhë.

Paradoksi përsëritet edhe në Parlamentin e ri Evropian, ku eurodeputetët e BME-së (Black and Minority Ethnic) janë vetëm 5%, gjithsej 36 nga 751.

Jo vetëm kaq: në rastin e një Brexit të mundshëm, përqindja e eurodeputetëve të BME do të bjerë edhe më tej, duke arritur në 4%, për shkak të largimit të eurodeputetëve britanikë.

Nuk është e pazakontë që, në Bruksel dhe Strasburg, politikanët me ngjyrë shpesh e gjejnë veten si "I vetmi person i zi në dhomë". Ndërsa zyrtarët dhe parlamentarët kryesisht të bardhë diskutojnë ligje dhe dosje, shumë prej kamerierëve dhe pastruesve u përkasin një pakicë etnike.

Në vitin 2017, liderët evropianë u zotuan të promovojnë një strategji mbi diversitetin dhe përfshirjen që synon të arrijë një barazi thelbësore gjinore midis burrave dhe grave (40%) por nuk ka ende asnjë gjurmë të përparimit të çështjes etnike ose racore.