PRISHTINË - Ambasada e Amerikës dhe USAID-i kanë ndarë 89 bursa për nivelin master të studimeve për studentët e Kosovës, të cilët do të shkojnë në universitetet e Amerikës për të studiuar në fusha të ndryshme.
Sipas KosovaPress, ambasadorja e Amerikës në Kosovës, Tracy Ann Jacobson, ka thënë se SHBA është shumë e hapur që të ofrojë mundësi sa më të mëdha për të rinjtë e Kosovës të cilët do të marrin përvoja të ndryshme atje dhe t'i sjellin në Kosovë.
"Jemi të kënaqur shumë që këtë vit nga 46 e kemi bërë numrin në 89 studentë", tha ajo.
Edhe shefi i USAID-it në Kosovë, James Hope, theksoi se Kosova ka bërë shumë ndryshime për këto 15 vitet e fundit, duke shtuar se edhe me studimin e këtyre të rinjve në universitetet e SHBA-së mund të bëhen ndryshime pasi të kthehen në Kosovë.
"Nëse mund të citoj Mandelën kur ka thënë se edukimi është mjeti më i fortë për të arritur ndryshime, Dhe kosovarët kanë arritur gjithë ato ndryshime gjatë këtyre 15 viteve të fundit", tha ai.
Kurse ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se është një kënaqësi e veçantë që po promovohet grupi i dytë i programit për lidership.
"Ky projekt mban emrin transformimi i lidershipit dhe vërtetë ky projekt do të ndihmojë që të transformojmë lidershipin në Kosovë. Jam i sigurt se, ju jeni njerëzit që do ta përfaqësoni në mënyrë të denjë Kosovën. Do të keni mundësi që gjatë qëndrimit tuaj të njoftoheni me praktikat më të mira amerikane. Do të shihni se diversiteti që do të shihni atje është përparësi e një shoqërie. Dhe jam i sigurt se këto përvoja që do t'i merrni atje, do t'i sillni te ne dhe ato do të kenë impakt shumë të rëndësishëm në procesin e transformimit që ne po kalojmë. Natyrisht që qeveria e Kosovës ju mirëpret që të ktheheni sa më shpejt me studime të përfunduara", tha ai.
Programi për lidership transformues ka ndarë 89 bursa për studentët kosovarë që do të fillojnë studimet e tyre në nivelin master në SHBA, në vjeshtë të vitit 2015.
Të rinjtë mund të studiojnë në programe si financa publike, biznes, ekonomi, bujqësi, teknologji informative, pedagogji, zhvillim ndërkombëtar, edukim etj./ATSH/