TIRANE-  Ushtarakët që kanë plotësuar vitet e shërbimit në gradën që mbajnë do të dalin në lirim. Drafti i miratuar dje në Komisionin e Sigurisë për “Karrierën e Forcave të Armatosura”, me propozim të deputetit të PS-së, Arben Çuko parashikon që të gjithë ushtarakët që kanë plotësuar vitet e shërbimit në funksion të gradës do të dalin në lirim në momentin kur ligji do të hyjë në fuqi.

Ky propozim i bërë nga Çuko gjeti mbështetjen e deputetëve të tjerë të mazhorancës duke e kaluar atë për votim në seancë plenare. Propozimi i bërë u mbështet në argumente edhe nga deputeti tjetër i PS-së, Pirro Lutaj i cili theksoi se: “Propozimi i bërë nga zoti Çuko është i drejtë. Forcat e Armatosura kanë nevojë për tu rikonceptuar. Mund të ketë një rregullim juridik. Personat që kanë plotësuar vitet e shërbimit në gradë deri në hyrjen në fuqi të ligjit dalin në lirim”. Kësisoj sipas këtij amendamenti, Forcat e Armatosura pritet që të kenë një ristrukturim të saj pasi një pjesë e madhe e ushtarakëve do të dalin në lirim.

Përplasja
Mbledhje e djeshme pati edhe një përplasje ndërmjet deputeti Pjerin Ndreu me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes. Kur po diskutohej neni 26 i projektligji i cili fliste për daljet në lirim të ushtarakëve, theksoi se në ligj janë parashikuar kompetenca të mëdha për Ministrin e Mbrojtjes i cili tani më ka të drejtë të propozoj lirimin e oficerëve me gradë madhore. Konkretisht Ndreu propozoi që këtë gjë ta ketë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, por që u rrëzua nga ana e kolegëve të tij të mazhorancës. Kësisoj të drejtën për të propozuar lirimin e oficerëve me gradë madhore e ka Ministria e Mbrojtjes e cila ia propozon kryeministrit. Ndërsa Shefi i Shtabit ka të dretjë të liroj nga detyra nënoficerët me propozim të komandantëve.

Mbledhja
Mbledhje e djeshme u shoqërua nga një debat ndërmjet opozitës dhe mazhorancës. Deputeti i PD-së, Flamur Noka kërkoi nga ana e përfaqësuesve të ministrisë konsulencat që kanë bërë me vendet partnere të NATO-s. Por kjo kërkesë e tyre gjeti edhe një përplasje nga ana e përfaqësuesve të ministrisë të cilët theksuan se konsulencën e kanë pasur në mënyrë verbale nga takimet që kanë bërë me atashetë e akredituar në Tiranë. Kjo mjaftoi që situata të acarohej edhe më shumë ku opozita u largua pasi kërkesa e tyre për ndërprerje të seancës nuk u aprovua. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)