TIRANE- Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi ka reaguar pas publikimit të vendimit të Greqisë për të vendosur ushtrinë në kufirin me Shqipërinë, me qëllim ruajtjen e rendit publik kërcënuar sipas tyre nga bandat e trafikantëve, kontrabandistëve, etj. Idrizi e quajti këtë “një zhvillim negativ, i papranueshëm në dritën e precedentëve historikë të rolit të kësaj ushtrie në kufijtë midis dy vendeve, misionit kushtetues të ushtrisë në një vend anëtar të NATO-s, dhe mbajtjes ende në këmbë të ligjit të luftës midis dy vendeve”.
Sipas kreut të PDIU, angazhimi i ushtrisë greke në kufijtë me Shqipërinë është një kërcënim për stabilitetin në rajon.
 
Sipas Idrizit, “përdorimi i ushtrisë për qëllime të rendit publik është diçka e pazakontë për një vend të NATO-s. Nuk ekziston një kërcënim nga Shqipëria që të justifikojë këtë veprim të ushtrisë greke”.
 
Lidhur me këtë ngjarje, kreu i PDIU i ka kërkuar ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, që t’i kërkojë sqarime homologut grek.
 
“Ministrja jonë e Mbrojtjes të kërkojë sqarime dhe në kuadër të institucioneve të përbashkëta të NATO-s. Vendosja e këtyre njësive ushtarake në kufi me Shqipërinë, bart dhe një rrezik tjetër potencial. Ai ekzagjeron përmasat e trafikut kriminal midis dy vendeve, duke parathënë një qëndrim refuzues të Greqisë në qershor kur të shqyrtohet kandidatura e Shqipërisë për në BE”, tha Idrizi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)