TIRANË - 2 kineze dhe 1 tajlandeze janë arrestuar nga policia pasi ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, në bulevardin “Zogu i parë”.

Gjithashtu, blutë njoftojnë se kanë vënë nën hetim 6 persona, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga veprimtaria e paligjshme e 3 vajzave të huaja.

Policia ka sekuestruar një shumë parash dhe 4 celularë në apartamentin ku ushtrohej prostitucion.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3,  në vijim të punës operative, për goditjen e rasteve të përshtatjes së apartamenteve të marra me qira, për ushtrim të prostitucionit, finalizuan operacionin policor “Rental house”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetaset kineze T. L. dhe Y. J., si dhe shtetasja tajlandeze B. S.. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 6 shtetas.

3 të arrestuarat dyshohet se kishin marrë me qira një apartament në bulevardin “Zogu i parë”, ku ushtronin prostitucion, veprimtari prej së cilës dyshohet se kanë përfituar 6 të proceduarit.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.