Me Berishën dhe Ramën do të thoshim se ishim mes Shilës dhe Karibdit, por me daljen në skenë të Nanos jemi te Trekëndëshi i Bermudës, ku zhduken në mënyre misterioze jo vetëm pasuritë e këtij vendi (që kushedi sa i pasur ka qenë; merr e merr e s'ka të mbaruar), por një ditë do të shohim se edhe Atdheu, për të cilin betohen kuqezinjtë, do të përpihet, duke i lënë atdhetarët me gisht dhe me himnin e flamurit në gojë.
Ndërkohë ky popull trim, liridashës dhe punëtor, nga jugu mbetet i rrethuar nga policia, si Kruja me Sulltan Muratin dikur, po që krahasimi ka defekte se këtu kemi të bëjmë me shqiptarë që rrethohen nga shteti i tyre shqiptar, që nuk ua mban të hyjnë në tokën e tyre, të cilën duhet ta kontrollojnë dhe administrojnë; ndërsa nga veriu vazhdon vetëgjyqësia mesjetare, me kafshë që nuk njohin as ligj e kanun dhe vrasin me gjakftohtësinë e një krimineli vajzën 17-vjeçare, që në varfërinë ekstreme ku jetojmë, punonte arën, për të siguruar bukën e gojës.
Po a ka lidhje ky realitet ku jetojmë ne atdhetarët e thjeshtë, krah më krah me kuqezinjtë, me realitetin virtual që krijojnë politikanët tanë, zbukuruar me lajle e lule nga mediat tona krejt të pavarura, që i venë mikrofonin në gojë duke dalë nga tualetet, Berishës, Ramës, Nanos me pyetjen idiote standarde "çfarë bëtë atje brenda, çfarë kishit në dorë?". Pastaj shfaqet papritur ambasadori amerikan, i cili i kthen përsëri në tualet të lajnë duart, për të takuar atë dhe për të marrë leksionin e radhës në lidhje me demokracinë.
Muajt e fundit politika, natyrisht edhe ne të mediave, është marrë me Presidentin e ri, se të vjetrin e kanë braktisur me kohë, a thua se nuk ekziston fare. Fiks Fare ka intervistuar popull anekënd dhe pyetjes kë doni ju dhe çfarë doni, iu përgjigjën: "Duam ujë" në Sukth, "Duam bukë" në mbarë atdheun tonë, më saktë, në mbarë kopshtin tonë të lulëzuar, "Duam ilaçe" në të gjitha spitalet tona, që janë në standardet evropiane, "Duam shkollë", në qindra e qindra familje të ngujuara; e çfarë nuk donin këta votues të thjeshtë, po vetëm president nuk donin. Dhe e përcollën gazetaren tonë të shkretë me një fjalë të urtë: mirë dëbora, mirë dhe ngrica, po ç'kërkon kjo firificka?
"Hajde Muhamet me kë bën muhabet", i thonë një fjale të urtë. Kujt t'i flasësh? Një diktatori profesionist, një amatori pesimist apo një të papërgjegjshmi optimist? Udhëheqësit tanë nuk kanë kohë të lirë të merren me hallet e shumta të popullit të tyre, por i gërryejnë sytë njëri -tjetrit, për ditë e për natë dhe për këtë nuk ndjejnë lodhje. Keni parë ju ndonjë reagim publik të këtyre burrave ndaj vrasjes gjakftohtë të vajzës 17 vjeçare për gjakmarrje? Sepse ngjiren duke u mburrur çfarë të mirash i kanë sjellë këtij populli, pa kuptuar se ku e kanë katandisur me bëmat e tyre.
Tek bredhin nëpër Evropë e Amerikë për të dalë një foto apo për t'i shtrënguar dorën jo homologëve të tyre, po ndonjë ndihmësi të ndihmësit, le të shkojnë një herë andej nga mbretëron mesjeta e errët, të futen në kullat e ngujimit e të flasin me fëmijë të pafajshëm që nuk dinë shkrim e këndim se nuk venë dot në shkollë. Se i pret vrasësi në rrugicën e sapoinaguruar nga kryeministri, i cili nuk pyet dhe hap zjarr edhe mbi fëmijët, natyrisht në zbrazëtinë e një shteti inekzistent. Cili shtetar në botë do të mburrej se ka bërë mrekullira në vendin e tij nëse do kishte jo njëmijë fëmijë të mbyllur nëpër kulla, që e shohin botën nga frëngjitë, por edhe një fëmijë të vetëm që i pikojnë lotët se nuk ka mundësi të dalë me shokët, të luaj dhe të shkojë në shkollë? Vetëm rasti ynë politik është unik, me shpresë specie në zhdukje.
Vini re fjalimet, gjithë logorinë e udhëheqësve tanë? Kryeministri deklaron se ia ka kaluar Evropës, se jemi vendi i pare në botë…, vendi i dytë në botë. Kemi lëne mbrapa Francën, Italinë duke u ngrëne dhëmb për dhëmb me Gjermaninë. Se jemi kopshti më i lulëzuar ne Evrope. Fanar ndriçues, shkëmb graniti që na kane zili të gjithë, do të thoshte ati i tij shpirtëror, shoku Enver. Po i fundit të paktën nuk ka lëne të marrin gjakun e gjyshit mbi një fëmijë të pafajshëm. Na lini o zoti kryeministër të jemi andej nga mesi i Evropës dhe jo në krye të saj, se po të të marrin seriozisht evropianët, na mbytën me refugjatë. S'kemi këllqe të mbajmë miliona francezë, gjermanë, grekë, italianë. Katër milionë turistë që vijnë, sipas jush, këtyre anëve, dëgjojnë për mrekullitë ekonomike nën udhëheqjen tuaj dhe na kërkojnë strehim politik, për të rrojtur dhe ata të shkretët ca ditë të bardha bashkë me ne.
Kryetari i opozitës, duke cicëruar në Twitter, që lexohet e ndiqet me vëmendje në të gjithë katundet, në saj të mundësisë që i krijoi kryeministri me internet në çdo cep të vendit, deklaron se presidenti u zgjodh sipas Kushtetutës, por ky veprim na largoi nga Evropa, a thua se Evropa ka kërkuar që ne ta shkelnim ligjin themelor për të na afruar. Ec e merre vesh, tamam si shoku Enver kur na mësonte se sa më e fortë të jetë diktatura, aq më e thellë është demokracia.
"Hane Shan, hane Bagdad," i thonë kësaj. Me popullorçe, ku të ha ty e ku të kruajnë këta, për të mos e banalizuar me Stambollin që digjet. Ankesat e kreut të opozitës, më saktë protestat për keqqeverisjen të kujtojnë atë që hante bajga dhe ankohej se gjente një qime në to…
Halle- halle kjo dynja. Ca kanë hallin si të shlyejnë borxhin e bukës në defterin e dyqanit, ca kanë hall të dalin në oborrin e kullës ku janë ngujuar për të parë diellin të plotë, ca të tjerë kane hall si të blejnë një ilaç të shtrenjte për të shtyrë dhe ca ditë jetë, ndërsa Berisha ka vetëm një hall, të vdesë kryeministër, Rama ka vetëm një hall: të bëhet kryeministër dhe Nano ka vetëm hallin si të largojë Ramën nga PS-ja. E shikoni që halli hallit nuk i ngjan?!
Ky rast politikanësh nuk kanë hall nëse i duam ne. Ecin me parimin e Neronit: Me pëlqen më mirë të jem i urryer, sesa i dashuruar, sepse për të qenë i dashuruar nuk varet vetëm nga unë, ndërsa për të qenë i urryer varet krejtësisht nga unë!
(sg/shqiptarja.com)