Vajza e Brigitte Macron duket se po ndjek gjurmët e nënës së saj në dashuri. Pas historisë që vite më parë tronditi Francën, kur Brigitte Macron nisi lidhjen me Emmanuel Macron, atëherë adoleshent, këtë herë në qendër të vëmendjes është Tiphaine Auzière. 42-vjeçarja ka konfirmuar romancën me Antoine Lecomte, një student 22-vjeçar i biznesit, duke e bërë publike lidhjen me foto nga një fundjavë romantike në Amsterdam.

Çifti udhëtoi drejt Holandës me një furgon kampingu dhe qëndroi në hotelin Faralda, një strukturë e pazakontë e ndërtuar mbi një vinç portual 50 metra të lartë. Në një prej postimeve, Lecomte e përshkroi udhëtimin me fjalët: "48 orë në Amsterdam me zonjën."

Sipas revistës franceze Madame Figaro, diferenca 20-vjeçare në moshë pritet të ngjallë diskutime, por çifti nuk duket se shqetësohet nga komentet.

Lidhja ishte zbuluar fillimisht muajin e kaluar nga revista Gala, e cila raportoi se dyshja u njoh në plazhet e Le Touquet, vendpushimi i preferuar i familjes Macron në bregdetin francez.

Antoine Lecomte është nga Lille, merret me kitesurf, punon si instruktor e-foil, studion në Neoma Business School dhe ka kompaninë e tij të sporteve ujore, Mission Kiteboarding.

Pikërisht kjo histori ka bërë që shumë miq të çiftit të shohin ngjashmëri me marrëdhënien e Brigitte Macron. Zonja e parë e Francës ishte 40 vjeçe, e martuar dhe nënë e tre fëmijëve kur Emmanuel Macron, atëherë 15 vjeç, ra në dashuri me të në Amiens. Më vonë ata u martuan dhe Emmanuel Macron u bë president i Francës.

"Antoine është aventurier dhe nuk ka frikë nga asgjë, ndërsa Tiphaine i ngjan shumë nënës së saj. Ashtu si Brigitte, ajo dëgjon zemrën dhe nuk shqetësohet për atë që mendojnë të tjerët", tha një mik i çiftit për Gala.

Një tjetër person pranë tyre u shpreh se mes dyshes pati "një lidhje të menjëhershme", duke shtuar se ata ndajnë të njëjtën dashuri për Le Touquet, udhëtimet, sipërmarrjen dhe aventurat.

Sipas revistës, Brigitte Macron e ka mirëpritur këtë marrëdhënie. Një mik i Tiphaine Auzière tha se reagimi i saj ishte ai i çdo nëne dhe se për të rëndësi ka vetëm lumturia e vajzës. Po sipas të njëjtit burim, zonja e parë e Francës ishte e lumtur ta njihte partnerin e ri të së bijës dhe diferenca në moshë nuk ishte një problem.

Gala shkruan gjithashtu se Auzière ia ka prezantuar Lecomte edhe dy fëmijëve të saj, Élise dhe Aurèle, nga lidhja e mëparshme civile me gastroenterologun Antoine Choteau. Sipas revistës, është hera e parë që ajo ua prezanton fëmijëve një partner.

Kjo romancë vjen vetëm pak muaj pasi përfundoi marrëdhënia e saj me Cyril Hanouna, prezantuesin e njohur francez të televizionit, i cili ishte shpesh kritik ndaj presidentit Emmanuel Macron. Sipas mediave franceze, ata u ndanë në muajin maj, por ruajtën marrëdhënie të mira.

E specializuar në të drejtën e punës, Tiphaine Auzière është edhe shkrimtare. Në vitin 2024 ajo botoi romanin e saj të parë, "Assises", një dramë gjyqësore që rrëfen historinë e një gruaje të akuzuar për vrasjen e partnerit të dhunshëm. Ajo provoi edhe politikën, por humbi ngushtë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 si kandidate e aleatëve të Emmanuel Macron.

Auzière ka folur edhe më parë për periudhën kur nëna e saj nisi lidhjen me Emmanuel Macron. Ajo ishte vetëm nëntë vjeçe dhe në një intervistë për Paris Match kujtoi se ndarja e prindërve dhe komentet publike ishin të dhimbshme, por tha se kishte mësuar të ecte përpara pavarësisht kritikave. Në një intervistë për The Telegraph, ajo tha se këshilla më e rëndësishme që ka marrë nga e ëma është: "Bëhu një grua e pavarur."

5/2