Vajza e Odhise Paskalit çon
në gjyq argjendari “Pirron”

Vajza e skulptorit të njohur Odhise Paskali, Floriana Paskali i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës që të dënojë me dy vjet burg dhe 50 milion lekë të vjetra administratorin e argjendarisë “Pirro”, shtetasin Spiro Ruço. Shkak i kësaj kërkese mësohet të jetë bërë riprodhimi pa të drejtën e autorit Odhise Paskali të disa veprave të arrtit të punuar prej tij, konkretisht skulpturës së Skëndërbeut. Këto vepra arti sipas paditëses janë prodhuar në argjënd dhe flori nga shoqëria “Pirro”, e cila në asnjë rast sipas paditëses nuk ka marrë të drejtën e autorit. Por përkundrazi veprat që mbajnë patentën e babait të paditëses janë riprodhuar dhe më pas shitur, duke sjellë fitimi të mëdha për shoqërinë në fjalë. Në kërkesën e saj paditësja ka listuar kopjet e realizuara me argjend, alabaster, bronz, baker, si dhe përmasat e këtyre kopjeve, të realizuara sipas të dëmtuarës akuzuese në mënyrë antiligjore nga të akuzuarit. Përveç këtyre është riprodhuar edhe monumenti i Skenderbeut me materiale, forma e dimensione të ndryshme. Floriana Paskali ka kërkuar gjithashtu në bazë të nenit 191 të K.P.Penale të merret informacion dhe dokumentacion nga institucione të ndryshme, për aktivitetin e të akuzuarve, për të dhënat e deklaruara nga subjekti tregtar, për kopjet që janë shitur jashtë shtetit, për kopjet që janë blerë nga Këshilli i Ministrave, Presidenca, apo institucione të tjera. Për dy skulpturat e Skëndërbeut, paditësja ka zhvilluar dhe dy procese gjyqësore civile, ndërkohë që në atë penal Florina Paskali ka humbur betejën ligjore, për shkak se gjykata ka shpallur të pafajshëm Spiro Ruçon dhe argjendarinë “Pirro”

Argumentat e Paskalit
Duke e konsideruar akuzën të provuar, bazuar në një seri provash, si dhe në shpjegimet e saj, në përfundim të gjykimit e dëmtuara akuzuese parashtroi konkluzionet përfundimtare. Sipas saj gjykata nuk ka vepruar drejt kur nuk ka pranuar për shqyrtim padinë civile. Në konkluzjone paditësja thotë se vetë avokati i të akuzuarve, Dorian Çelikuj ka pranuar se këta të fundit riprodhojnë vepra arti, por për këtë riprodhim nuk janë të detyruar të japin përqindjen, lejen dhe aq më pak të paguajnë trashëgimtaren ligjore të skulptorit, pasi veprat e tij janë vendosur në vende publike. Skulptori për veprat është paguar nga shteti, pra shteti shqiptar e ka paguar kur ka qënë gjallë, në formën e pagesave mujore, për punën që ka bërë për këto vepra arti. Sipas të dëmtuarës Floriana Paskali ky arsyetim nuk qëndron, por është pohim i pastër se të akuzuarit kanë riprodhuar veprat e autorit dhe kanë kryer vepër penale. Sipas të dëmtuarës akuzuese është e vërtetë që veprat artistike të Odhise Paskalit janë vendosur në vende publike, është e vërtetë se skulptori, si çdo shtetas shqiptar, gjatë periudhës që ka punuar në kohën e komunizmit ka marrë rrogë mujore, por asnjë nga këto pagesa nuk ka qënë çmim financiar për punët e tij dhe nuk i heq Odhise Paskalit cilësinë e autorit të veprave të artit. Asgjë nuk përligj riprodhimin pa të drejtë të veprave të skulptorit për qëllime tregtare nga të akuzuarit në këtë process gjyqësor. Si përfundim e dëmtuara akuzuese kërkoi deklarimin fajtor të të akuzuarve për veprën penale të parashikuar nga neni 149 i K.Penal dhe dënimin e tyre, “Pirro shpk” me 5000000 lekë gjobë dhe Spiro Ruço me dy vjet burgim.

Veprat janë publike
Sipas avokatit të Spiro Ruços, të të dyja veprat janë skulptura të paraqitura në formë monumentale, jo vetëm nga përmasat, por edhe nga vlerat artistike e historike që ato mbartin, sepse të dyja veprat lidhen me figurën e heroit tonë Kombëtar, Skenderbeut. Të dyja këto vepra janë vendosur në vende publike, përkatësisht në Kukës dhe Tiranë. Kjo do të thotë, se nga momenti i krijimit të tyre dhe i dorëzimit të tyre për t’u vendosur në dy sheshe kryesore të këtyre dy qyteteve, këto vepra shndërrohen në pronë publike, ose siç quhet në gjuhën ndërkombëtare të së drejtës së autorit “public domain”. Termi “public domain” që është një term i njohur nga konventat ndërkombëtare, ligjet kombetare dhe praktikat ligjore dhe urbane në të gjithë botën, është një koncept juridik qe do të thotë “i pambrojtur” ose “pa mbrojtje autorësie”. E thënë me fjalë të tjera, një vepër që futet në kategorinë e pronës publike është “e lirë për të gjithë për t’u përdorur dhe për t’u përshtatur apo adoptuar”. Veprat pronë publike janë një fushë në të cilën ka liri përdorimi nga të drejtat që burojnë nga pronësia intelektuale. Nisur nga këto rrethana avokati ka kërkuar dejlarimin të pafajshëm të shoqërisë “Pirro” dhe administratorit të saj Spiro Ruço.

(eq/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

112-Vjetori i Policisë së Shtetit, Proda dhe Hoxha vendosin kurora te Memoriali i efektivëve Dëshmorë: Mbrojtën jetën me jetë!

112-Vjetori i Policisë së Shtetit, Proda dhe Hoxha vendosin kurora te Memoriali i efektivëve Dëshmorë: Mbrojtën jetën me jetë!